Nga Gazeta ‘SI’ – Një raport i fundit auditues i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë në dritë një seri parregullsish që kanë rënduar buxhetin e shtetit.
Një nga pikat më kritike të raportit të sapopublikuar, lidhet me transparencën rreth qëllimit për t’a bërë Shqipërinë të njohur, botërisht. Për pjesëmarrjen në Panairin e Turizmit në Berlin, MTM ka alokuar mbi 257 milionë lekë, por pa ndjekur hierarkinë e nevojshme ligjore të vendimmarrjes. Raporti thekson se për shuma të kësaj natyre, që kalojnë gjysmën e fondit vjetor të parashikuar për këtë produkt, kërkohet një Vendim i Këshillit të Ministrave, i cili në këtë rast ka munguar.
Mungesa e kontrollit shtrihet edhe mbi grantet e dhëna për organizatat lokale, ku KLSH ka vërejtur se monitorimi i realizimit të projekteve është pothuajse inekzistent, duke u mjaftuar me raporte formale pa verifikime faktike në terren.
Një tjetër ngjarje që ngre pikëpyetje mbi transparencën është ai i faturës financiare që Ministria është detyruar të paguajë për shkak të vendimeve gjyqësore për shkarkimin e padrejtë të punonjësve.
MTM ka shpenzuar rreth 28 milionë lekë për të dëmshpërblyer punonjës të larguar padrejtësisht nga puna. Audituesit vërejnë se, ndonëse Ministria kishte në dispozicion 156 vende vakante në të gjithë sistemin e saj, ajo ka zgjedhur të paguajë dëmshpërblimet dhe tarifat përmbarimore në vend që të respektonte urdhrat e gjykatave për rikthimin e këtyre specialistëve në detyrë.Kjo praktikë, sipas KLSH-së, ka sjellë një barrë të panevojshme mbi taksapaguesit.
KLSH ka ndaluar edhe tek praktikat e prokurimit publik, si p.sh projekti për “Qendrën Multifunksionale në Luginën e Vjosës”. Ky tender, me një vlerë prej 570 milionë lekësh, është gjetur me mospërputhje midis nevojave reale të projektit dhe kritereve të vendosura në dokumentacion. KLSH argumenton se Ministria ka përfshirë kërkesa teknike dhe licenca që nuk lidhen me natyrën e punimeve, si dhe ka kërkuar një numër të lartë punonjësish (150 persona), veprime këto që kufizojnë konkurrencën dhe ngrenë dyshime mbi objektivitetin e procedurës.
Përveç dëmit nga stafi dhe tenderave miliona eurosh, KLSH ka zbardhur edhe shkelje me fondet e rikonstruksionit. Sipas raportit, në projektin për rikonstruksionin e godinës së Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), institucion në varësi të Ministrisë, janë paguar rreth 1.8 milionë lekë (pa TVSH) për punime që faktikisht nuk ekzistojnë.
Raporti përmend edhe mungesën e transparencës të institucionit.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, sipas gjetjeve, nuk e ka përditësuar rregullisht faqen e saj zyrtare dhe nuk ka krijuar një bazë të dhënash të aksesueshme për të ardhurat dhe detyrimet, duke rënë ndesh me detyrimet që rrjedhin nga Ligji për të Drejtën e Informimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje