Nga Gazeta ‘SI’ - Informacionet financiare të ofruara nga institucionet vendase mund të mos jenë të sakta. Kjo sepse, sipas KLSH-së, në pasqyrat financiare vjetore kanë shfaqur pasaktësi dhe mospërputhje.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në auditin e buxhetit 2022, thekson se strukturat përgjegjëse në ministrinë e Financave nuk kanë hartuar pasqyrat financiare përmbledhëse, të konsoliduara për sektorin publik për të gjithë vitin 2022, duke vënë kështu në pikëpyetje besueshmërinë e shifrave dhe konkluzioneve.
“Nga auditimi i kryer nga KLSH, në lidhje me zbatimin e standardeve të raportimit financiar dhe sistemin e kontabilitetit të sektorit publik, ka rezultuar se, nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk janë hartuar e dorëzuar në Qeveri dhe Kuvend, Pasqyrat Financiare Përmbledhëse, të konsoliduara as në nivel grupi (ministrie), as në nivelin e përgjithshëm për Njësitë e Sektorit Publik për vitin 2022, duke mos u dhënë kështu mundësinë përdoruesve të interesuar, të brendshëm dhe të jashtëm të marrin informacion të saktë e të besueshëm si dhe të nxjerrin konkluzione të arsyeshme”, shkruhet në raportin e performancës.
Për të njëjtën periudhë, janë 69 institucione sipas auditit që kanë shfaqur probleme të shkeljes së afateve në lidhje me ngarkimin e pasqyrave individuale dhe dorëzimin e pasqyrave fizike individuale. 44 prej tyre nuk e kanë dorëzuar kurrë.
KLSH thekson se nuk është kryer as procesi i inventarizimit të aseteve dhe se mungon regjistri i aktiveve dhe pasurive shtetërore në nivel qendror dhe për gjithë institucionet e qeverisjes së përgjithshme dhe për pasojë nuk ofrohet siguri e mjaftueshme se institucionet e sektorit publik kanë vendosur e zbatuar kontrolle dhe monitorime të plota mbi pasuritë dhe menaxhimin e tyre në mënyrë efikase.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.