Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi sitet arkeologjike tregon se situata në to është kaotike dhe disa shërbime nuk funksionojnë.
Sipas auditit, këshillet kombëtare që ekzistojnë brenda sistemit të trashëgimisë kulturore dhe procedurat e vendimmarrjes së tyre për sitet arkeologjike, nuk funksionojnë siç duhet.
“Ka një mbivendosje kompetencash në procedurat e vendimmarrjes dhe mosrespektim të hierarkisë së institucioneve qendrore brenda sistemit të trashëgimisë kulturore”,- thuhet në dokument.
Parqet Arkeologjike të audituara, Apolloni, Bylis, Amantia dhe Orikum nuk kanë ende plan ruajtje, mbrojtje dhe administrimi për pasuritë kulturore, siç kërkohet në nenin 45 dhe 46 të legjislacionit te ri, Ligjit Nr. 27/2018. Realizimi i këtyre planeve sipas KLSH kërkon studim gjithëpërfshirës dhe angazhim të të gjithë institucioneve përgjegjës, por deri me sot nuk ka asnjë arritje në këtë drejtim për parqet e sipër përmendura
KLSH vlerëson se numri i punonjësve përveçse është i vogël për të mbikëqyrur parqet, punon pa një plan të mirëpërcaktuar.
“Strukturat e sipërpërmendura nuk janë të mjaftueshme për të kryer funksionin e ruajtjes fizike të siteve. Përveç Parkut Arkeologjik të Butrintit e Apollonisë të cilët ruhen me roje private, Parqet Bylis, Amantia dhe Orikum nuk kane asnjë punonjës për ruajtjen e tyre.”
Kontrolli i Shtetit vë në fokus dhe problemin infrastrukturor që vështirëson vizitat e turistëve në këto site.
“Ka pamjaftueshmëri tabelash orientuese për në parkun arkeologjik Apoloni, si dhe mungon tabela rrugore standarde, që orienton vizitorët për te lënë rrugën e Lumit të Vlorës dhe për t’u ngjitur në drejtim të kodrës, ku ndodhet siti arkeologjik i Amantias. Lëvizja e vizitorëve për në sitet e largëta të Bylisit dhe të Amantias nuk është e mbuluar aspak nga linjat e transportit publik. Ndërkohë që po në Amantia prej vitesh mbetet i pazgjidhur problem i staneve ngjitur me parkun”,-sipas KLSH.
Sa i takon parkut të Butrintit, auditimi nënvizon se ka mungesë të ndjeshme vendesh parkimi për makinat dhe autobusët, me të cilat udhëtojnë vizitorët, radhë të gjata në biletari apo mungesë të kushteve higjeno-sanitare.
Gjatë 2020-s në këto parqe ishin 78.552 vizitorë, teksa në një vit normal siç ishte 2019 u regjistruan mbi 424 mijë vizitorë, shumica e të cilëve të huaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje