Menaxhim

KLSH rezerva për Korporatën e Investimeve: S’ka monitorim për pronat shtetërore. Paratë paguhen, projektet s’ecin!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur disa parregullsi në Korporatën e Investimeve Shqiptare, AIC, lidhur me menaxhimin e pronave shtetërore me qëllim zhvillimin.

Fillimisht, KLSH, thekson se ligji që i jep fuqi AIC të menaxhojë pronat shtetërore nuk ka mekanizma për monitorimin dhe vlerësimin e vazhdueshëm të efektivitetit të procedurave dhe të ekzekutimit të projekteve, të cilat paraqet një risk të lartë operacional dhe institucional për menaxhimin e pronave shtetërore, si dhe nuk garantojnë sigurinë e tyre. Për më tepër, proceset nuk janë në përputhje me legjislacionin shqiptar mbi Prokurimet Publike, por mbështeten ekskluzivisht në kompetencat dhe procedurat e brendshme të AIC-së.

Më tej, KLSH thotë se në projektet si ai i stadiumit Dinamo (9.400 m2) apo i Kadastrës (5.000m2) nuk ka asnjë analizë se si janë arritur sipërfaqet e propozuara. Gjithashtu konstatohet se në lidhje me këto prona, janë kryer vetëm analiza të përgjithshme mbi çmimet referencë të tyre ose të tregut, por nuk janë të mirë argumentuara si dhe paraqesin paqartësi mbi përfitueshmërinë dhe rrezikun që mund të gjenerohet për Korporatën dhe Institucionet në bashkëpunim. Nga auditimi konstatohet se edhe për afatet për realizimin e projekt-propozimeve, të cilat janë 3-5 vite, janë të pa argumentuara dhe të pa shoqëruara me analiza specifike dhe të detajuara.

Për 8 projekt-propozime, ku përfshihet dhe zhvillimi i Porto Palermos dhe Pashalimanit, KLSH thotë se nuk ka asnjë përparim dhe nuk kanë kaluar në fazën e zhvillimit edhe pse janë kryer të gjitha shpenzimet dhe likuidimet përkatëse me fondet shtetërore. Këto projekte nuk janë parashikuar as në planin e vitit 2024.

Gjatë auditimit, KLSH gjeti se Korporata është një nga institucionet që i ka dhënë borxh shoqërisë Albcontrol, 2 mld lekë, për të menaxhuar situatën e saj të vështirë financiare pas gjyqit me Francesco Bechetti, por kjo ka futur në vështirësi financiare vetë Korporatën.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si Aksionari i vetëm i Korporatës Shqiptare të Investimeve, dhe Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë së Korporatës së Investimeve Shqiptare SHA, të marrin të gjitha masat e menjëhershme, për shumën e dhënë hua 2 (dy) miliard lekë, me qëllim kthimin e menjëhershëm të shumës së huasë së dhënë në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar dhe mbarëvajtjes dhe funksionimit të shoqërisë Korporata e Investimeve Shqiptare, në cilësinë e huadhënësit nisur edhe nga fakti që këto aktive kanë prekur më shumë se 5% të aktiveve dhe kapitalit total të kësaj shoqërie”, thuhet në dokument.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë