Nga Gazeta ‘SI’ – Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar rezultatet e një auditi 3-vjeçar në spitalet e vendit, duke gjetur se rreziku nga mbetjet e tyre është i lartë.
KLSH thekson se spitalet rajonale në vend nuk kanë kushtet e duhura për magazinimin dhe përpunimin e mbetjeve. Qeset e mbetjeve hidhen në koshat e qytetit dhe transporti i tyre bëhet me karroca normale. Po ashtu, shumë nga magazinat kanë hapësira për t’u futur shpendë dhe brejtës, po ashtu rrezik për përhapje të sëmundjeve.
Auditi gjen se objektet e mprehta jo gjithmonë futen në plastikë, por edhe në kuti kartoni, duke rritur riskun për rrjedhje dhe përhapje të infeksioneve. Për sterilizimin e tyre, nuk ka informacione.
“Për periudhën 2020-2023, prodhuesit e mbetjeve spitalore (spitalet rajonale), nuk kanë respektuar masat për administrimin e mbetjeve spitalore të gjeneruara, për sa i përket ndarjes në burim të mbetjeve spitalore, ambalazhimit, etiketimit, magazinimit, trajtimit, transportimit dhe asgjësimit në mënyrën më të mirë të përshtatshme. Referuar bazës ligjore në fuqi, spitalet janë përgjegjëse për të siguruar që mbetjet të menaxhohen dhe asgjësohen në mënyrën e duhur”, shkruhet në raportin e publikuar nga Kontrolli i Lartë.
KLSH gjen se vetë ministria e Shëndetësisë nuk disponon një strukturë përgjegjëse për mbikëqyrjen e proceseve të lidhura me veprimtarinë e spitaleve sa i përket mbetjeve spitalore. Ministria, thotë KLSH nuk kryen asnjë raportim standard mbi mbetjet në INSTAT dhe rezulton shteti i vetëm në Europë pa të dhëna.
Nga të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë, për 39 spitale publike rezulton se, gjatë 4 viteve buxhetorë së bashku për evadimin e mbetjeve spitalore të rrezikshme me operatorë ekonomikë janë shpenzuar rreth 517.6 mln lekë ose rreth 129.4 mln lekë/vit. Evidentohet trend rënës sa i përket shpenzimeve të kryera, ku gjatë vitit 2023 janë shpenzuar rreth 15% më pak fonde se në vitin 2020, që ishte viti me kosto më të larta.
Megjithatë 10% e këtij efekti vjen nga ulja e kostove të QSUT “Nënë Tereza” e cila nga 15.9 milion lekë në vitin 2020 ka arritur në rreth 2.7 milion lekë shpenzime të raportuara për vitin 2023. Rreth 30% të vlerës financiare vjetore të shpenzuara e zë Spitali i Traumës ndërkohë 4 spitalet rajonale objekt i auditimit zënë mesatarisht rreth 16 % të totalit të fondeve çdo vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.