Menaxhim

KLSH nën lupë/ Kuvendi kërkon kontroll tek ‘kontrolluesi’

Nga Gazeta ‘SI’ – Kuvendi ka hapur aplikimet për të gjetur audites për të kontrolluar, Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Në shpallje, njoftohet se grupi i auditimit do të përzgjidhet nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, me qëllim auditimin e llogarive financiare të KLSH-së për periudhë 2024-2025.

Të interesuarit mund të aplikojnë në Kuvend deri më 3 prill dhe të plotësojnë kritere si ekperincë 5-vjeçare, të mos jenë nën masë disiplinore, të mos kenë familjarë në KLSH, të mos jetë punësuar në ndërmarrje/institucione të audituara nga KLSH.

Shpërblimi për grupin e audituesve të pavarur do të mbulohet nga fondet buxhetore të Kuvendi i Shqipërisë. Shpërblimi jepet në bazë mujore dhe nuk mund të jetë më i ulët se 80% dhe më i lartë se 150% e pagës mujore të këshilltarit të komisioneve të përhershme parlamentare.

Në bazë të ligjit, KLSH, që kontrollon si shpenzohen paratë publike nga qeveria, duhet të auditohet nga ekspertë të jashtëm për të garantuar besueshmëri dhe transparencë.

Vetë qeveria ka pasur disa herë përplasje me këtë institucion, duke kundërshtuar shpesh gjetjet e raporteve. Një nga rastet më publike, ishte përballja në komisionin e Ekonomisë, verën e vitit 2024, ku KLSH gjeti se AKU kishte lejuar të shiteshin akullore kancerogjene në treg. Atëkohë, kreu i komisionit, Eduart Shalsi e akuzoi KLSH-në për nxitje të panikut dhe “dënoi” zvarritjen e hapave ligjorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë