Nga Gazeta 'SI' - Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në ministrinë e Financave gjeti se gjatë 2023-shit, janë rritur pagesat për pesë kontrata koncesionare.
KLSH e quan këtë një risk fiskal, sidomos në mungesë të treguesve të matshëm të performancës së tyre bën të diskutueshme dhe arritjen në kohë të objektivave të tyre me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet.
“Gjithashtu duke qenë se këto kontrata koncesionare/PPP janë me mbështetje buxhetore dhe koncesionari nuk ka përgjegjësi apo angazhim financiar, këto shpenzime nga ana e buxhetit të shtetit janë një borxh i fshehur për vitet në vijim. Këto kontrata koncesionare/PPP nuk raportohen si borxh por në buxhet shfaqen vetëm pagesat korrente të vitit, në formën e shpenzimeve operative dhe atyre kapitale”, thuhet në auditin e KLSH.
Konkretisht, bëhet fjalë për kontratat “Përmirësimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtje e rrugës Porti i Jahteve By Pass Orikum-Dukat”, “Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale)”, “Ofrimi i shërbimit të dializës”; “Ofrimi i shërbimeve laboratorike spitalore”, “Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës, për projektimin, financimin, ndërtimin, mobilimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e pesë objekteve arsimore në zonën Tirana 1 dhe për 4 objektet arsimore në zonën Tirana 4”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thekson se ministria e Financave nuk jep detaje të mjaftueshme për ecurinë e punimeve të koncesionit të aeroportit të Tiranës, rrugës së Kombit dhe rrugës së Arbrit apo nëse ka pasur shkelje.
“Konkretisht: koncesione të tilla si: Rruga e Kombit, Aeroporti i Rinasit, Rruga e Arbrit e të tjera, mbartin përshkrime të llojit: “janë në fazë ndërtimi”, apo “punimet vazhdojnë”, por nuk përcaktohet ecuria e investimeve të dakordësuara dhe në asnjë rast nuk paraqiten të dhëna, nëse kontraktori ka shkelur kushtet kontraktuale”, shkruhet në dokument.
Shqetësim për KLSH-në është edhe mungesa e të dhënave për inceneratorin e Tiranës dhe nuk ka të dhëna sa është shuma e investuar nga koncesionari dhe nëse është në përputhje me kontratën.
Mungesa e informacioneve financiare dhe jofinanciare të kontratave koncesionare/PPP tregon se nuk është arritur të sigurohet që risqet kryesore fiskale nga këto kontrata janë identifikuar dhe raportuar në mënyrë sistematike, thekson KLSH.
Institucioni i kërkon ministrisë së Financave që të bashkëpunojë me autoritetet e tjera dhe të merren masa për mbledhjen e të dhënave dhe të monitorojë me rigorozitet kontratat që kanë rritje të vazhdueshme të financimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.