Menaxhim

KLSH: Ndarja 70/30 për plazhet, joeficiente. Zonat private u dyfishuan në 2024-ën

Nga Gazeta ‘SI’ – Një audit i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjen se vendimi i qeverisë për të ndarë në një raport 70/30 plazhin privat-publik nuk ka rezultuar eficient në terren.

Duke përjashtuar Sarandën, KLSH thotë se në bashkitë e tjera bregdetare të vendit, plazhet publike nuk kanë përparësi, nuk kanë higjienë dhe as menaxhimin e duhur.

“Nga vëzhgimet në terren rezulton se hapësira që i rezervohet publikut, shpesh herë nuk është e përshtatshme dhe e aksesueshme për qytetarët. Vendndodhja e tyre shpesh herë është në afërsi të derdhjes së ujërave të zeza, në territor me papastërti, apo distancë nga zonat historike të plazheve. Në disa raste hapësira publike rezulton e zënë nga banorë të zonës me shezlong e çadra stacionare të mbyllura me zinxhir dhe dryna të cilat kanë shkaktuar cenim të së drejtës së shfrytëzimit të këtyre hapësirave nga pushuesit e tjerë rastësorë, si në rastin përgjatë vijës bregdetare Durrës dhe Kavajë”, raporton KLSH.

Auditi thekson se gjatë periudhës 2022-2024 hapësira private nëpër plazhe është rritur ndjeshëm, si p.sh në rastin e Lezhës, ku në dy vite sipërfaqja e plazheve private është rritur me 250%.  

Në Himarë, plazhet private janë shtuar me 200%. Durrësi dhe Vlora kanë sipërfaqen më të madhe  të plazheve të shfrytëzuara, 131 mijë dhe 119 mijë m2, për 2024-n.

Gjatë kësaj periudhe u konstatua edhe rritje e numrit të subjekteve përfitues nga hapësira publike në plazhe.

KLSH thekson se ka një keqmenaxhim të fondeve që bashkitë përfitojnë nga lejet e plazhit pasi edhe pse janë rritur sipërfaqet, nuk mbulojnë dot shpenzimet për mirëmbajtjen e plazheve publike.

Nga 2022-shi në 2024-ën, 6 bashkitë bregetare në vend kanë arkëtuar 1.4 mld lekë nga tarifat e hapësirave.

“Ndërsa sipërfaqet e kontraktuara në bashkitë bregdetare pasqyrojnë rritje në masën nga 45%- 253%, të ardhurat nga vjelja e tarifës që aplikohet për sipërfaqet e kontraktuara kanë një rritje në masën nga 7%-37%”, raporton KLSH.

Kontrolli sugjeron rritje të tarifës për zënien e hapësirës publike të plazheve, me synim rritjen e të ardhurave të arsyetuara.

Vendosja e sinjalistikës së detyrueshme si edhe lista fikse e çmimeve për shezlongë shmang problematikën e abuzimit me çmimet dhe e bën më të lehtë monitorimin e situatës së çmimeve në territor, thekson KLSH.

Shqipëria, thonë audituesit, mbetet i vetmi vend në Europë, të cilit i mungon një ligj për bregdetin, dhe se situata me bregdetin është emergjente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë