Menaxhim

‘Burgjet e Rrogozhinës dhe Lushnjës duhen mbyllur, por shteti s’ka ku të çojë të burgosurit dhe policët’

Raporti i auditimit i cilëson institucionet të degraduara dhe jashtë standardeve, por mbyllja shtyhet për shkak të mungesës së vendeve në burgjet e tjera.

Nga Gazeta Si- Burgu i Rrogozhinës dhe i Lushnjës duhet të mbyllen! Në këtë përfundim arrin KLSH me raportin e fundit të publikuar, ku thuhet se kanë degraduar deri në pikën ku nuk sigurojnë kushte për trajtim njerëzor të të burgosurve por nuk mbyllen për një arsye: Shteti nuk ka ku të dërgojë të dënuarit dhe as ku të punësojë policët.

Urdhri i Ministrit të Drejtësisë në 2024 “Për miratimin e planit të zhvillimit të sistemit të burgjeve 2024-2030”, ka përcaktuar si Objektiv angazhimin për “Krijimin e një ambienti të sigurt dhe promovues”, gjë që nuk e ka arritur në këto burgje.

Burgu i Rrogozhinës, i cili është në funksionim nga viti 2001 me një kapacitet rreth 343 shtretër

dhe popullim aktual prej 261 të burgosur, funksionon si burg i sigurisë së zakonshme, ku zakonisht vendosen të dënuar me dënime të ulta, ose që e kanë kryer pjesën më të madhe të dënimit.

Nga vizita e grupit të auditimit në terren dhe referuar dokumentacionit të vënë në dispozicion, KLSH konstatoi se burgu i Rrogozhinës është në gjendje tejet të degraduar dhe për shumë arsye, nuk siguron kushte për trajtim njerëzor të të burgosurve por as nuk plotëson standardet shqiptare dhe Europiane.

E njëjtë është gjendja edhe në burgun e Lushnjës, ku kushtet nuk plotësojnë standardet.

“Për shkak të kësaj situate, me mungesa qoftë dhe për kushte minimale, prandaj është emergjente mbyllja e këtij institucioni, nëse nuk merren masa rehabilituese”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Lidhur me infrastrukturën, audituesit kanë konstatuar përdorimin e gjerë të telit me gjemba (edhe ky i arnuar), pjesa e sipërme e ndërtesës është e pasigurt dhe e degraduar, kushtet e akomodimit janë shumë të dobëta, mungojnë fare hapësirat e dedikuara, ose janë të papërshtatshme për funksionin e tyre, sikurse “Dhoma e prindërimit” në qiell të hapur, mungojnë ambiente për formim profesional, klasa për arsimin është e amortizuar, etj.

Problematikat në burgun e Rrogozhinës pranuar edhe nga vetë Ministria e Drejtësisë, e cila në Masterplan ka parashikuar mbylljen e burgut të Rrogozhinës por se kur do të ndodhë kjo, nuk dihet ende.

Pyetjes se përse nuk është mbyllur burgu i Rrogozhinës, referuar gjendjes së tij, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i është përgjigjur duke thënë se nuk ka vende të lira në burgjet e afërta për të burgosurit si dhe nuk kanë ku punësojnë stafet policore dhe civile, duke qenë se e kanë detyrim punësimin e tyre në rast mbyllje të një burgu.

Në kushtet kur raporti i KLSH flet për institucione që nuk garantojnë as standardet minimale të trajtimit njerëzor, çështja nuk mbetet më vetëm te infrastruktura e degraduar, por te përgjegjësia e institucioneve për të zbatuar vetë planet që kanë miratuar.

Ndërsa në dokumentet zyrtare parashikohet mbyllja e burgut të Rrogozhinës, në praktikë ajo mbetet e shtyrë për shkak të mungesës së kapaciteteve në burgjet e tjera dhe zgjidhjes për stafin.

Kështu, mes planeve në letër dhe realitetit në terren, qindra të burgosur vijojnë të qëndrojnë në institucione që audituesit i konsiderojnë tashmë jashtë standardeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë