Rend dhe Ligj

KLGj zbardh vendimin: Dvorani nuk garantonte funksionimin e Gjykatës së Lartë

Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se me emërimin e tre anëtarëve të rinj nga juristët e spikatur në Gjykatën e Lartë, mandati i Ardian Dvoranit cilësohet i zëvendësuar, megjithëse thekson se asnjëri prej tre emërimeve të reja, që u bënë më mars të këtij viti nuk mund të konsiderohet si nominalisht zëvendësuar i tij.

Vendimi i KLGj-së është mbështetur i gjithi mbi një interpretim të bërë nga Gjykatë Kushtetuese në vitin 2012, por jo për mandatin e një anëtari të Gjykatës së Lartë, por për mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata rithekson edhe njëherë se rregulli i vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të gjyqtarit kushtetues, për të garantuar mbi të gjitha funksionimin normal të gjykatës në rast të krijimit të vendeve vakante si pasojë e mosveprimit të ndonjërit prej organeve, të cilave Kushtetuta u njeh një rol të veçantë në këtë moment për zëvendësimin e gjyqtarëve të vjetër me gjyqtarë të rinj. Nisur nga natyra kolegjiale e këtij organi të pavarur kushtetues çdo mosveprim do të kishte pasoja në funksionimin e gjykatës, nga ana tjejtër gjykata vlerëson se ndërsa vazhdimi i qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues përbën një detyrim për ta, kjo nuk do të thotë se Presidenti dhe Kuvendi mund të zgjasin tej çdo afati të arsyeshëm procedurat e zëvendësimit të tyre”, thotë KLGj.

E thënë me fjalë të tjera, Gjykata Kushtetuese në vendimin në fjalë thotë se mandati i një gjyqtar të një organi kolegjial, siç edhe është edhe Gjykata e Lartë nuk mund të zgjatet përtej një afati të arsyeshëm kohor, nëse kjo zgjatje nuk garanton funksionimin e Gjykatës së Lartë. KLGj thotë se në rastin Dvorani, ky afat është tejkaluar dhe se edhe me Dvoranin anëtar, Gjykata e Lartë mbetej jofunksionale.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se prania e gjyqtarit të katërt në Gjykatën e Lartë nga radhët e juristëve të spikatur në kushtet aktuale, pra kur në këtë gjykatë nuk ka gjyqtarë të tjerë përveç të gjyqtarëve të rinj të sipërpërmendur nga radhët e juristëve të spikatur nuk sjell dhe as garanton funksionimin normal të kësaj gjykate në lidhje me gjykimin e çështjeve në trupa gjykuese të përbërë nga pesë gjyqtarë, apo nga kolegje të bashkuara. Po ashtu, prania e gjyqtarit të katërt nuk sjell dhe as garanton funksionimin e shtuar të kësaj gjykate”, thotë KLGj.

Në fund, KLGj fton Ardian Dvoranin që të aplikojë pranë këtij institucioni për t’u emëruar si anëtar në gjykatën e Apelit. Vetë Ardian Dvorani në vend të aplikimit si pjesë e trupës së Apelit ka paralajmëruar padi kundër vendimit të KLGj-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë