Lajme

KLGj refuzon kërkesën e Jaeld Çelës, zhbllokohet gjyqi “Tahiri”

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka rrëzuar kërkesën e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës për ndryshim të trupit gjykues. Kërkesa është dorëzuar në këtë institucion nga avokatët mbrojtës të Çelës, i cili ndodhet në arrati që prej 2017-ës, kur nisi procesi gjyqësor për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal me qëllim trafikun e lëndëve narkotike.

Përmes avokatëve mbrojtës, Çela kërkoi ndryshimin e trupës gjykuese të Gjykatës së Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që përbëhet nga Nertina Kosova, Nure Dreni dhe Albana Boksi me arsyetimin se këto gjyqtare kishin gjykuar çështje të bashkëlidhura me dosjen e tij, duke iu referuar dosjes në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Vetë Tahiri u dënua me tre vite shërbim prove, pasi dënimi me 5 vite burg iu ul me një të tretën për shkak të gjykimit të shkuartuar. Dënimi i dhënë nga atë kohë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda u kundërshtua si nga Prokuroria, ashtu edhe nga vetë Saimir Tahiri, që e apeloi në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Por, në fund të dhjetorit 2019, kjo gjykatë u shkri për të krijuar Gjykatën e Posaçme të Apelit për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, ku seanca e radhës për këtë dosje do të mbahet në mes të muajit maj.

Ky vendim i KLGj-së zhbllokon mbajtjen e seancave, ku pala mbrojtëse kërkon pafajësi, ndërsa organi i akuzës kërkon ashpërsimin e dënimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë