Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka pezulluar nga detyra gjyqtaren Mimoza Margjeka, pasi kjo e fundit është në hetim nga SPAK për korrupsion dhe ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, të shtunën la në ‘arrest shtëpie’ gjyqtaren e Apelit, Mimoza Margjeka, e akuzuar për korrupsion.
Nga hetimet e kryera rezulton se gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila u pezullua nga detyra këtë të hënë përftoi gjashtë mijë euro për ndryshimin e masës së sigurisë, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali. Ky i fundit ishte arrestuar për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ditën e shtunë, në momentin kur gjyqtarja Mimoza Margjeka iu drejtua Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë pati tensione. Ajo mbërriti gati 3 orë me vonesë në gjykatë, ndërsa shpërtheu në akuza ndaj policisë, që sipas saj nuk kishin një urdhër shoqërimi, ndërkohë që nuk kishin caktuar një efektive femër për ta shoqëruar.
“S’ka urdhër shoqërimi, një urdhër gjykate që e kanë marrë dorazi. Kanë harruar, harrojnë gjyqtarin që e bënë zhele dy ditë kot, për asgjë. Qëllimi për të diskredituar njerëz. Çfarë i bëni popullit ju kur ma bëni mua këtë”, tha e irrituar gjyqtarja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



