Dosje

Probleme me shëndetin, Klement Balili kërkon transferimin nga burgu i Peqinit

Klement Balili, i njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit”, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, ka kërkuar transferimin nga burgu i sigurisë së lartë në Peqin në një burg të zakonshëm.

Mësohet se Balili këtë kërkesë e ka bërë për shkak të problemeve shëndetësore, që sipas tij kërkojnë vizita të vazhdueshme mjekësore. Balili pretendon se qëndrimi në këtë qeli i rrezikon jetën.

Ndërkohë, Gjykata e Elbasanit ka kërkuar të bëhet një ekspertizë mjeko-ligjore, nëpërmjet së cilës të vërtetohet nëse qëndrojnë apo jo pretendimet e Balilit.

Ish-zyrtari i lartë, Klement Balili, është dënuar me 10 vite burg nën akuzat për trafik droge, për pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe për grup kriminal. Si prova fajësie në seancat gjyqësore janë dhënë përgjimet telefonike të realizuara nga autoritetet greke në kuadër të një hetimi që po kryhej atje për një organizatë kriminale që trafikonte hashash e kokainë.

Arrestimi i tij u bë më 15 janar të vitit 2019, pas dy vitesh kërkimi nga ana e policisë kombëtare dhe ndërkombëtar për trafik droge.

Por arrestimi i tij u bë vetëm pas negociatave mes policisë dhe avokatit të tij.

Më 15 janar 2019, Klement Balili u vetëdorëzua në polici pas negociatave ku u përfshinë avokati i tij Theodhori Sollaku, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si dhe nipi i tij, i cili mbante dhe postin e kryetarit të Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë