Gazeta Si – Këtë herë fëmijët mbeten jashtë ekipit të Donald Trump. Të paktën formalisht. Në vitin 2017, çifti i formuar nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner e gjetën veten në qendër të vëmendjes dhe polemikave.
Ivanka, 43 vjeçe, tashmë ka bërë të ditur se synon t’i përkushtohet vetëm tre fëmijëve të saj, si dhe bizneseve dhe festave në rezidencën e saj luksoze në Majemi.
Djali i madh i presidentit, Donald Jr, 47 vjeç, ishte gjithashtu shumë aktiv në fushatën e fundit elektorale dhe me siguri synonte një pozicion në Shtëpinë e Bardhë. Por në fund, ai u zhvendos dukshëm nga turma rreth Zyrës Ovale të presidentit të ri.
Në fakt, Donald Junior ishte objektivisht në rrezik zhdukjeje. Prandaj zgjodhi për të vazhduar rrugëtimin e tij të biznesit në mënyrë të pavarur, me “fondin e kapitalit sipërmarrës 1789”.
Djalit tjetër, Eric Trump, 41 vjeç, i treti i lindur nga martesa mes “The Donald” dhe Ivana Trump (ndërroi jetë në korrik 2022), do të kujdeset për grupin e familjes, “Trump Organization”.
Tiffany, 31 vjeçe, vajza e Marla Maples, është ende jashtë qendrës nervore të klanit. Edhe pse i ati emëroi vjehrrin e saj, libanezo-amerikanin Massad Boulos, në postin e “këshilltarit të lartë” për Lindjen e Mesme.
Në realitet, Trump e shpërbleu atë për aftësinë e tij për të grumbulluar një konsensus të caktuar midis arabo-amerikanëve të Detroitit, në Michigan, në momentin më të ashpër të luftës në Gaza.
Në mbyllje të listës është ardhja e fundit, Barron, djali i Melania Trump. Ai është vetëm 18 vjeç dhe nuk është as e dhënë që do të jetojë në Shtëpinë e Bardhë.
Do të varet nga Zonja e Parë. Tani për tani nuk është e qartë nëse Melania do të jetë më e pranishme se në të kaluarën, ndoshta me më shumë iniciativa personale.
Por figura kryesore për t’u mbajtur nën sy është një tjetër: Jared, ish-dhëndri-këshilltar në mandatin e parë.
Mes viteve 2017 dhe 2021, Kushner, 44 vjeç, ishte një nga protagonistët e Administratës. Rrjedh nga një familje nga komuniteti hebre-ortodoks. Prindërit e tij, ndër të tjera, kanë qenë gjithmonë miq të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.
Në vitin 2020, Trump i dha një falje presidenciale babait të Jaredit, Charles, i cili u akuzua për evazion fiskal dhe ryshfet ndaj dëshmitarëve.
Tani, në vitin 2025, ai e emëron atë, babain e Kushnerit, ambasador amerikan në Francë. Me fjalë të tjera: lidhjet midis Trump dhe Kushner janë shumë të thella.
Me kalimin e kohës, Jared ka qenë gjithashtu në gjendje të ndërtojë një marrëdhënie solide me princin saudit të kurorës, Mohammed Bin Salman.
Duke lëvizur midis Tel Avivit dhe kryeqyteteve të Gjirit, Kushner kontribuoi në thurjen e “Marrëveshjeve të Abrahamit”, marrëveshjes ekonomiko-tregtare midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (më vonë e nënshkruar edhe nga Bahreini, Maroku dhe Sudani).
Qëllimi i deklaruar i “Trump 2” është rifillimi i atij plani të normalizimit në Lindjen e Mesme, i ndërprerë nga lufta në Gaza, duke çuar në paktin midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.
Gjithçka sugjeron se Jared Kushner do të ketë një rol të rëndësishëm. Qoftë vetëm për marrëdhënien e tij shumë të ngushtë me të dërguarin e ri për Lindjen e Mesme, zhvilluesi i pasurive të paluajtshme në Nju Jork, Steven Witkoff.
Bashkëshorti i Ivankës ka shpenzuar vitet e fundit duke mbledhur fonde të konsiderueshme. Sot kompania e tij, “Affinity Partner”, mund të llogarisë në rreth 5 miliardë dollarë: 2 vijnë nga Arabia Saudite; 1.5 nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Biznesi dhe politika, pra, do të ndërthuren sërish. Dhe jo vetëm në Gjirin Persik. Menjëherë pas fitores së vjehrrit të tij në zgjedhjet presidenciale, Jared mori dritën jeshile nga qeveritë e Shqipërisë dhe Serbisë për të ndërtuar një resort luksoz në Beograd dhe një në bregdetin shqiptar në ishullin e Sazanit.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.