Njerez

Kitaristi 22-vjeçar Daniel Daiu që synon skenat botërore: Ëndrra ime të performoj edhe në TKOB

Nga Gazeta Si - Ai është 22 vjeç dhe prej 2 vitesh ka nisur rrugëtimin e tij i pavarur nga familja, drejt të ardhmes si muzikant. Daniel Daiu, djali i dy prindërve emigrantë nga Durrësi ka studiuar kitarë dhe për Gazetasi.al tregon sakrificat që ka bërë familja për ti orientuar drejt artit, vështirësitë për t’ia dalë mbanë jo vetëm të mbijetosh por të shkëlqesh në skenat botërore, siç Danieli ëndërron. Me Shqipërinë e lidhin kujtimet e fëmijërisë, pasi prej kohësh pushimet e verës ka zgjedhur ti kalojë ose duke punuar ose duke bërë ture në Evropë ku mes miqve të rinj ka njohur dhe bashkëmoshatarë nga Kosova e Shqipëria.

Kitaristi që pëlqen muzikën klasike, thotë se skena e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit është ajo që po ëndërron, të performojë me orkestrën e saj, sepse Shqipëria për të është gjysma e tij, pa të cilën nëse nuk do e ndjente, Danieli nuk do të ishte i njëjti.

Djalë i 2 prindërve emigrantë, sa e vështirë ka qenë për dy prindër emigrantë shqiptarë, sa e vështirë ka qenë për familjen tënde ardhja dhe integrimi në Itali?

Babai im ka qenë një nga të parët që janë nisur në marsin e 91-shit me tragetet nga Durrësi drejt brigjeve të Italisë. Fatmirësisht, ai gjeti një ambient të mirë dhe shteti italian ka ndihmuar shumë me letrat dhe me integrimin e emigrantëve.

Babi tregon se nuk ka qenë i martuar në atë kohë, por ishte i fejuar me mamin, dhe janë bashkuar disa muaj më vonë.

Besoj që nga babai kam trashëguar instinktin për aventurën, ashtu siç ai është nisur pa pasur njeri për Itali, kështu edhe unë jam nisur përpara për Finlandë në 2022, dhe pastaj për Zvicër në 2023.

Integrimi për mua ka qenë diçka që më ka dhënë mundësi për t’u rritur. Në fazën e adoleshencës, kam vënë në diskutim identitetin tim për arsye të ndryshme. Në ambientin që më rrethonte nuk kam pasur pothuajse asnjë shqiptar, përveç familjes time, kështu që e gjeja të vështirë të flisja për traditat e popullit tim. Jam me fat që kam pasur shokë të huaj që më kanë dhënë forcën dhe më kanë hapur sytë për këtë pasuri që kam, të jem shqiptar i lindur në një shtet tjetër, me disa nga traditat italiane dhe trashëgimi shqiptare nga familja ime.

Ti je lindur në Itali, çfarë të diferencon dhe bashkon me bashkëmoshatarët e tu?

Rajoni ku kam jetuar në Itali, Emilia Romagna, është i famshëm për mikpritjen e saj. Besoj që ky aspekt ngjan shumë me mentalitetin që më kanë mësuar prindërit e mi.

 Sigurisht, fakti që jam lindur në një vend tjetër nga origjina ime, më ka bërë shumë më të pavarur nga shtëpia dhe më ka dhënë mundësinë të nisesha drejt vendeve të huaja pa patur mallin e shtëpisë.

Çfarë më diferencon më shumë është edhe dualiteti i personalitetit tim. Siç kam thënë më parë, ka aspekte që më bashkojnë me të dyja kulturat. Shumë shpesh më pyesin të zgjedh a jam shqiptar apo italian, dhe është e pamundur të jem vetëm një nga këto të dyja. Një gjysmë e Danielit do të vdiste po të zgjidhja vetëm një.

Si është kontakti me vendlindjen e prindërve, sa herë e viziton Shqipërinë dhe cili prej qyteteve të pëlqen më shumë dhe çfarë jo?

Për prindërit e mi ka qenë arsye primare kontakti im me Shqipërinë. Që kur isha i vogël kemi kaluar çdo verë në Shqipëri, ku kam tezet, dajat, gjyshen dhe disa të tjerë. Kohët e fundit isha lodhur duke kaluar pushime me prindërit, kisha dëshirë të vizitoja vende të tjera dhe kam patur punë, kështu që nuk kam vajtur në Shqipëri çdo vit. Ka qenë edhe diçka e vështirë për mua të lidhja shoqëri në Shqipëri për faktin që jam lindur në Itali dhe kohën që kalonim në Shqipëri ishte më shumë me familjen.

Kam patur fatin që kam qenë seleksionuar për sezonin e parë të OriginAL-it, një program fantastik i cili organizon ture dy-javore në Kosovë dhe në Shqipëri për të rinjtë e diasporës nga 18 deri në 26 vjet. Eksperienca ka qenë fantastike, kam parë vende të mrekullueshme, kam mësuar shumë prej historisë së Kosovës dhe Shqipërisë dhe kam lidhur shoqëri me shumë bashkëmoshatarë. Tani nuk mezi pres të kthehem dhe të takoj shokët e mi prapë!

Ke zgjedhur të studiosh muzikë, si lindi ideja dhe çfarë aspiron të bëhesh kur të kesh mbaruar masterin?

Qyteti ku jetoj ka një shkollë 8-vjeçare me mundësi të studiosh muzikë pasdite. Jam i lumtur që prindërit e mi kanë investuar në formimin muzikor tonin kur ishim të vegjël. E para ka qenë motra ime, më e madhja, që ka filluar me violinë, pastaj me piano, dhe unë kisha shumë qejf të luaja dhe të mësoja, dhe gati e bezdisja sa here, dhe, kur ajo stërvitej, unë bashkohesha me të dhe luanim bashkë.

Për këtë arsye, prindërit e mi më kanë dërguar në shkollë muzike private për të mësuar piano. Fatkeqësisht, profesorit tim nuk i interesonte dhe nuk kishte pasion fare, kështu që pas një viti e lashë pianon për të filluar kitarën në shkollën e mesme. Arsyeja që kam zgjedhur kitarën është që ne kishim një në shtëpi dhe kurioziteti më shtyu ta eksploroja këtë instrument të mrekullueshëm, me një mësuese fantastike, Anna, që akoma tani kam komunikim dhe kam raport shumë të ngushtë.

Ëndrra ime është të luaj nëpër salla koncertesh me orkestër, si solist dhe me ansambël.

Këtë vit kam nderin të luaj si solist me 3 orkestrat e ndryshme: La Toscanini në Itali, Kammerorchester Basel në Zvicër dhe Heidelberger Sinfoniker në Gjermani, dhe emocionet që provoj në momentin kur filloj pjesën në teatër janë të pabesueshme. Tani po studioj intensivisht për të qenë i aftë të emocionoj publikun dhe t’i dhuroj ndjenja kur luaj një pjesë.

A e sheh të mundur investimin tënd në Shqipëri dhe ku konkretisht?

Pa dyshim mundësia të shpreh artin e kitarës klasike në Shqipëri do të ishte nder i madh për mua. Fantastike do të ishte bashkëpunimi me ansamble, me muzikantë dhe, nëse ka mundësi, me një orkestër, thjesht të bëjmë muzikë në koncert bashkë. Edhe nga ana pedagogjike jam kurioz të njoh më shumë dhe të kem lidhje me institucionet shqiptare.

Jam i bindur që populli ynë ka muzikë në gjak dhe duhet të shfrytëzojë këtë pasuri në investimin tek muzika klasike.

A e ka menduar familja jote kthimin në Shqipëri dhe çfarë do të doje të bënin ata?

Në momentin aktual, prindërit e mi kanë vendosur rrënjë në Itali. Kanë gjetur komunitet dhe kanë punuar gati gjithë jetën aty. Tërheqja për vendlindjen është e madhe; është normale që ata kanë dëshirë të kthehen dhe të kalojnë kohë në Shqipëri, por është akoma një projekt i largët në kohë, fillimisht duhet të presin pensionin.

Edhe motra dhe vëllai im po përqendrohen të zhvillojnë karrierën në Itali. Nga ana ekonomike është më atraktive. Unë për veten time e lashë edhe Italinë, sepse e pashë të vështirë të punoj dhe të jetoj si artist muzikor ose profesor muzike. Kërkoj një vend që më jep siguri dhe dinjitet si kitarist, dhe Zvicra ose Europa e Veriut për momentin janë vendet ku po gjej kushtet që më lejojnë të shprehem dhe të jetoj një jetë të pavarur e të relaksuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë