Lajme

Kisha Katolike, thirrje Ramës e Bashës: Gjeni rrugën e dialogut

Pas situatës së trazuar politike në vendin tonë vjen edhe një deklaratë nga Kisha Katolike.
Të mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të Pesëdhjetepestë të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, ata i bëjnë thirrje kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha që të ulin armët e konfliktit dhe të gjejnë me patjetër rrugën e dialogut.
“U bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë në Shqipëri, në mënyrë të veçantë liderëve të dy partive të mëdha: Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që të ulin armët e konfliktit, sikurse janë gjuha urrejtjes dhe arroganca, e të gjejnë me patjetër rrugën e dialogut. Të nxiten me këmbëngulje qytetarët që të heqin dorë nga çdolloj forme dhune dhe vandalizmi. Kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do atdheun! Në këtë situatë, ne, me vendosmëri i themi JO DHUNËS, qoftë kur vjen nga protestuesit e qoftë kur është shprehje arbitrare e institucioneve”, thuhet në reagimin e Kishës Katolike.
Kisha Katolike bën apel për të gjetur zgjidhje duke kërkuar të mirën e përbashkët të njerëzve mbi interesat politike.
“Ne, duke u bazuar në doktrinën shoqërore të Kishës dhe në traditën e Kishës Katolike në Shqipëri, do të jemi gjithmonë në anën e njerëzve të thjeshtë dhe të jetës së përditshme që duan të jetojnë të qetë, të çliruar nga sundimi i dhunës, i korrupsionit, i kriminalitetit, i papunësisë e i detyrimit të largimit nga vendi për kushte më të mira. Këto janë problemet e mëdha që pozita dhe opozita duhet të diskutojnë së bashku për të gjetur zgjidhjet e duhura duke kërkuar të mirën e përbashkët që ka përparësi mbi të mirën e partisë”, vijon më tej reagimi.
Në deklaratën e Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë thuhet gjithashtu se duhet të nxiten qytetarët që të heqin dorë nga dhuna, ndërsa theksohet se “kush përdor dhunë dhe vandalizëm nuk e do Atdheun”.
“Përsërisim bashkë me partnerët tanë evropianë se është koha e duhur që t’i dërgojmë botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe ne shqiptarët jemi të aftë për t’i zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë