Njerez

Kisha Katolike denoncon braktisjen e veriut, Imzot Massafra reagon për mungesën e infrastrukturës

Kisha Katolike ka denoncuar braktisjen që i ka bërë shteti zonës së veriut. Duke u ndalur tek rruga e Komanit, Imzot Angelo Massafra ka reaguar për mungesën e infrastrukturës në këtë zonë, që sipas tij është shkak edhe për braktisjen që ata banorë i bëjnë vendit.

Masafa kërkon reagim si nga qytetarët por edhe nga institucionet për ndërtimin e një të ardhme me të mirë për Shqipërinë.

Kisha Katolike ka reaguar për situatën e mjerueshme në të cilën janë zhytur shumë fshatra në veri të vendit.

Duke iu referuar fjalëve të Papa Franceskut për dashuri e bamirësi politike, Imzot Angelo Massafra, ka denoncuar mungesën e infrastrukturës në këtë zonë, e për më tepër braktisjen që iu është bërë nga pushteti qëndror dhe vendor.

“Duke qenë se jam munduar dhe mundohem të jem zë për ata që nuk kanë zë, dëshiroj t’ju shpreh një ankesë, personale dhe njëkohësisht publike, që lidhet me RRUGËN E KOMANIT.
Gjatë një vizite, duke shkuar në Koman dhe Lumin e Shalës, u ndala për të pushuar dhe takova e fola me disa banorët për këtë rrugë, që aq shumë më lodhi.
Në bisedë e sipër më kanë thënë se “kemi ngritur zërin…por pa rezultat!”
Ndërsa rruga për KOMAN… është katastrofike dhe është e pasigurtë për jetën e vendasve dhe është shumë e rrezikshme edhe për shëndetin e punëtorëve të hidrocentralit! Mijëra turistë çdo ditë kalojnë atë rrugë për të shkuar në Fierz, në Valbonë dhe në Lumin Shalës… dhe jo vetem turistët por edhe banorët e zonës.
Sa vuajtje, sa kohë e humbur, sa makina që prishen, sa probleme për shëndetin dhe shtyllën kurrizore të njerëzve!!!”, shkruan ndër të tjera Imzot Massafra.

Ndërsa rendit problematikat e zonës, ai i cilëson këto edhe si shkaqe të braktisjes së asaj zone por edhe vendit.

“Nëse do të ishin kushtet e rrugëve, të shkollave dhe shërbimet shëndetësore, mendoj se disa familje do të kishin qëndruar në Shqipëri, pa marrë rrugën e hidhur të mërgimit! Ata mijëra turistë të huaj dhe nga Shqiperia, në rrjetet sociale, flasin mirë për natyrën e mrekullueshme që na ka falur Zoti, por shumë prej tyre flasin shumë keq për rrugët dhe për pastrimin e liqenit, duke bërë kështu propagandë të kundërt!”, shkruan Imzot Angelo Massafra.

Ai gjithashtu thekson se nuk duhet pajtuar me këtë situatë por duhet vepruar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, por edhe për të huajt që zgjedhin të vizitojnë këto pasuri kombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë