Nga Gazeta “SI” . Koncepti i imazheve lëvizëse si argëtim nuk ishte i ri në fund të shekullit të 19-të. Pajisje si “lanternat magjike” dhe mekanizma të tjerë ishin përdorur prej gjeneratash në argëtimin popullor. Lanternat magjike përdornin xhama me imazhe të cilat projektoheshin në ekran. Disa leva dhe mekanizma të tjerë bënin që këto imazhe të shfaqeshhin të lëvizshme.
Një tjetër mekanizëm, i quajtur Fenakistoskop, përfshinte një disk me imazhe të fazave të një lëvizjeje, i cili mund të rrotullohej për të simuluar lëvizjen. Po ashtu, Zoopraxiscope, i zhvilluar nga fotografi Eadweard Muybridge në vitin 1879, projektonte një seri imazhesh në faza të njëpasnjëshme të lëvizjes, të cilat ishin marrë përmes përdorimit të shumë kamerave.
Shpikja e Kinetoskopit, paisja e parë e ruajtjes së imazheve
Shpikja e një kamere në laboratorët e Thomas Edison, e aftë për të regjistruar imazhe të njëpasnjëshme në një kamera të vetme, ishte një përparim praktik dhe me kosto të ulët që ndikoi në të gjitha pajisjet pasuese të kinematografisë. Megjithëse ka spekulime se interesi i Edisonit për imazhet lëvizëse mund të ketë filluar para vitit 1888, vizita e Eadweard Muybridge në laboratorin e tij në West Orange në shkurt të atij viti e forcoi vendosmërinë e Edisonit për të shpikur një kamerë për filma. Muybridge propozoi një bashkëpunim për të kombinuar Zoopraxiscope me fonografin e Edisonit.
Edison, ndonëse i intriguar, vendosi të mos merrte pjesë në këtë partneritet, ndoshta duke kuptuar që Zoopraxiscope nuk ishte një mënyrë shumë praktike ose efikase për të regjistruar lëvizjen. Për të mbrojtur shpikjet e tij të ardhshme, më 17 tetor 1888, Edison paraqiti një kërkesë për patentë në Zyrën e Patentave, ku përshkroi idetë e tij për një pajisje që do të “bënte për syrin atë që fonografi bën për veshin” — të regjistronte dhe riprodhonte objekte në lëvizje. Edison e quajti shpikjen e tij “Kinetoskop”, duke përdorur fjalët greke “kineto” (lëvizje) dhe “scopos” (për të parë).
Në qershor të vitit 1889, asistenti i Edisonit, William Kennedy Laurie Dickson, u ngarkua me detyrën për të shpikur pajisjen, ndoshta për shkak të përvojës së tij si fotograf. Charles A. Brown u caktua si ndihmës i Dicksonit.
Laboratori i Edisonit funksiononte si një organizatë bashkëpunuese, ku asistentët punonin në projekte të shumta, ndërsa Edison mbikëqyrte dhe përfshihej në nivele të ndryshme. Në fund, Edison merrte vendimet kryesore dhe si “Magjistari i West Orange,” ai merrte meritat për produktet e laboratorit të tij.
Eksperimentet fillestare
Eksperimentet e para për Kinetografin bazoheshin në konceptin e cilindrit të fonografit të Edisonit. Imazhe të vogla fotografike ngjiteshin në rend në një cilindër, me idenë që kur cilindri të rrotullohej, iluzioni i lëvizjes të riprodhohej përmes dritës së reflektuar. Kjo metodë u tregua e papërshtatshme.
Puna e të tjerëve në këtë fushë e shtyu Edisonin dhe stafin e tij të ndiqnin një drejtim tjetër. Në Evropë, Edison kishte takuar fiziologun francez Étienne-Jules Marey, i cili përdori një rrotull filmike të vazhdueshme në pajisjen e tij Chronophotographe ( Kronofotograf) për të prodhuar një seri imazhesh të palëvizshme. Megjithatë, mungesa e filmave me gjatësi dhe qëndrueshmëri të mjaftueshme e vonoi procesin shpikës.
Kjo pengesë u kapërcye kur John Carbutt zhvilloi fletët e filmit të veshur me emulsion celuloid, të cilat nisën të përdoren në eksperimentet e Edisonit. Më vonë, kompania Eastman prodhoi filma celuloid, që Dickson i bleu në sasi të mëdha. Deri në vitin 1890, Dickson iu bashkua një asistent i ri, William Heise, dhe të dy zhvilluan një makinë që ekspozonte një shirit filmi me një mekanizëm ushqyes horizontal.
Prototipi dhe patentimi
Më 20 maj 1891, një prototip i Kinetoskopit u prezantua në një konventë të Federatës Kombëtare të Klubeve të Grave. Pajisja shërbente si një kamerë dhe një shikues përmes vrimës së vogël (peephole), dhe filmi që përdorej ishte 18mm i gjerë.
Sipas David Robinson në librin e tij “From Peep Show to Palace: The Birth of American Film” filmi “lëvizte horizontalisht midis dy bobinave, me shpejtësi të vazhdueshme. Një mbyllës që lëvizte shpejt siguronte ekspozime të ndërprera kur pajisja përdorej si kamerë dhe pamje të ndërprera të printimit pozitiv kur përdorej si shikues.”
Një patentë për Kinetografin (kamera) dhe Kinetoskopin (shikuesi) u depozitua më 24 gusht 1891.
Kinetoskopi u përfundua rreth vitit 1892. David Robinson përshkruan pajisjen si vijon:
“Ai përbëhej nga një kabinet i drejtë prej druri, me përmasa 18 inç x 27 inç x 4 ft të lartë, me një vrimë vrojtimi në krye, e pajisur me lente zmadhimi… Brenda kutisë, filmi, në një shirit të vazhdueshëm rreth 50 këmbë të gjatë, ishte vendosur rreth një serie bobinash. Një rrotë e madhe me dhëmbëza, e drejtuar elektrikisht, kapte vrimat përkatëse në skajet e filmit, duke e tërhequr atë poshtë lentes me një ritëm të pandërprerë. Poshtë filmit ishte një llambë elektrike, dhe midis llambës dhe filmit ishte një mbyllës rrotullues me një të çarë të ngushtë. Ndërsa çdo kuadër kalonte nën lente, mbyllësi lejonte një shkëlqim drite aq të shkurtër sa kuadri dukej sikur ishte i ngrirë. Kjo seri e shpejtë kuadrosh dukshëm të palëvizshme shfaqej, falë fenomenit të qëndrueshmërisë së shikimit (persistence of vision), si një imazh në lëvizje.” (From Peep Show to Palace, f. 34)
Në këtë fazë, sistemi i furnizimit horizontal ishte ndryshuar në një sistem vertikal. Shikuesi do të shikonte përmes vrimës në krye të kabinetit për të parë imazhin të lëvizte.
Demonstrimi i parë publike i Kinetoskopit u mbajt më 9 maj 1893, në Institutin e Arteve dhe Shkencave të Brooklyn-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.