Nga Suadela Balliu – Magjia joshëse e ekranit të madh i kinemasë mund të barazohej me forcën e një vorbulle thithëse në univers, ndërsa sytë, mendja, trupi i dorëzohen krejt pa kurrfarë rezistence impulseve të imazhit në lëvizje… Një magji të ngjashme, për një brez që pretendon se i ka parë të gjitha e nuk i ka mbetur asgjë për të zbuluar në këtë epokë ku gjithçka është larg sa një rrëshqitje gishtërinjsh në ekranesh telefonash smart ishte edhe shtysa që e çoi drejtoren e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit , Iris Elezi të pranonte bashkëpunimin me “Tulla Nouvelle Terrace” për të projektuar çdo të martë në qiell të hapur filma nga kinematografia shqiptare e viteve ’90, në tarracën e Pallatit të Kulturës.
E marta e radhës ka rezervuar filmin dokumentar “Anija e Ëmbël”, një prodhim italo-shqiptar i vitit 2012, por që rrëfen fatin e njëzet mijë shqiptarëve që hipën mbi anijen “Vlora” në portin e Durrësit për të prekur lirinë aq shumë të dëshiruar, më 8 gusht të vitit 1991, në portin e Barit, ai lundrim që më pas huazoi termin biblik “Eksod”.
Filmi me regji të italianit Daniele Vicari, i shfaqur në edicionin e 69-të të Festivalit të Filmit në Venecia në vitin 2013 ka sjellë përvojën e tre shqiptarëve në bordin e anijes të cilin regjisori e pagëzoi “e ëmbël” për shkak se funksioni i saj ishte të transportonte sheqer drejt Kubës.
Kledi Kadiu, asokohe vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçar niset drejt ëndrrës që do e shohë balerin të famshëm përtej detit dhe nuk do e harrojë as pas 27 vitesh ndjesinë e etjes që përjetoi në bordin e anijes. Eva Karafili, e sapo diplomuar në ekonomi, ngitet në anije me të shoqin e pastaj në bord takohet edhe me të vëllanë, tani punon si përkthyese në Puglia.
Regjisori Robert Budina, në 1991 ishte ende student i Akademisë së Arteve të Bukura kur vendosi ta linte bregun e Durrësit për të lundruar drejt “bel paese”-s, i prekshëm deri atë kohë vetëm nga ekrani i televizorit, ku ndjekja e kanaleve të huaja ishte aktivitet i jashtëligjshëm dhe tejet i rrezikshëm për lirinë.
Halim Milaqi, komandanti i “Vlorës” lundroi deri në vitin 1994, ndërsa sot punon në një agjenci detare në Durrës. “Ejani dhe na ndiqni!” – thotë Iris Elezi, duke ngulmuar se shija që të lë projeksioni në ekranin e madh,me tingujt e plotë, emocionet dhe identifikimi me personazhet, shoqëruar edhe nga atmosfera e qiellit të netëve të ngrohta verore të ftojnë të bëhesh e diçkaje më të madhe.
Ftesa bëhet edhe më mikpritëse kur kjo kinema ofrohet gratis. Sipas Elezit, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmi ka qysh prej nëntorit të shkuar që çdo të premte ia ka dedikuar shfaqjes së pjesëve të kuruara nga koleksioni i filmit shqiptar dhe të huaj, të fondit të arkivës, në kinemanë brenda godinës së AQSHF-së.
Tanimë, prej disa javësh netët e filmit janë shndërruar të martat dhe kinema është bërë tarraca e Pallatit të Kulturës.
Arsyeja pse u zgjodh pikërisht dhjetëvjeçari ’90, sipas Elezit, është se kinemaja e kësaj periudhe është pak ose aspak e njohur jo vetëm për brezat që kanë lindur gjatë atyre viteve, por edhe për breza më të mëdhenj.
“Duket si një periudhë kohore të cilën mund ta prekim, aq e afërt është, një periudhë e errët që ka ndikuar në personalitetet dhe përsiatjet që ndeshim ende sot e kësaj dite.”- rrëfen Elezi, ndërsa i referohet filmit të një jave më parë, “Nata” e regjisorit Esat Musliu, prodhim i vitit 1996.
“Nuk e njohim kinematografinë tonë, bëjmë sikur. Ajo që vërej me trishtim në një kulturë si e jona që as nuk lexon e as nuk shkruan, mungojnë studimet për kinemanë”, mendon Elezi, e cila thotë se epokat duhet të dokumentohen, sepse memoria shpesh na bën lojëra dhe nuk mundemi t’i besojmë vetëm asaj pa i shkruar fenomenet e shoqërisë.
Kinemaja në “Tulla Nouvelle” është joformale dhe ndërvepruese. Shikuesit mund të pinë, të freskohen në qiell të hapur apo të ndjekin një film ndërsa kanë hapur çadrën për t’iu mbrojtur shiut, siç kanë bërë gjatë javëve të para të këtij aktiviteti.
Duke iu rikthyer edhe njëherë debatit për kinematogrfinë shqiptare, veçanërisht pas viteve ’90, Elezi thotë se debati është hedhur në kahun e gabuar.
“Përgjegjësia është t’i njohim këta filma dhe jo vetëm kineastët shqiptarë që sa më shumë ta njohin kinemanë aq më të mirë do bëhen në prodhimet e tyre në të ardhmen, por duhet të përkthehen, studiohen dhe të kthehen në tekste, sepse adresojnë disa nga plagët e shoqërisë për të cilat kemi ende të njëjtat pyetje. Shpirti shqiptar vazhdon të vuajë nga të njëjtat gjëra.”
Me kalimin e viteve, rrëfen ajo, ka kuptuar se janë pikërisht situatat shqiptare edhe thesari për kinematografinë tonë, situata që në botë janë të tejkaluara dhe nuk gjenden.
“Ka një moment te marrëdhënia mes babait dhe së bijës te filmi “Bolero” i Besnik Bishës” – tregon Elezi, ndërsa filmi është shfaqur disa javë të shkuara, “Mllefi i moshës, i katrahurës së viteve ’90, mënyra si vajza çirret është si të dëgjosh një këngë nga “Doors”-at. Është tronditëse.”
Megjithë kufizimet teknologjike që kanë hapur kineastët shqiptarë, Elezi është e bindur se një gjë e kanë bërë mirë; kanë vënë gishtin drejt e në plagë.
“Edhe aty ku mendojmë se ka propagandë apo e gjykojmë film të dobët, gjen gjenezën e telasheve dhe është rëndësishme, sepse gjen mirëkuptim pse prindërit apo gjyshërit e tu janë siç janë.”
Kjo nismë verore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit u çel me ekranizimin e filmit “Përdhunuesit” , prodhim i vitit 1995, me regji të Spartak Pecanit.
“Ne që u rritëm në ato vite i kemi fort mirë parasysh njerëzit me këmbale, flokë bishtpëllumb që të këpusnin nga qafa varëse e të vidhnin deri edhe këpucët, por ajo që nuk diskutohet
shumë nga studiuesit janë përdhunimet.”- mendon, ndërsa ndan një nga sekuencat kyçe të filmit ku aktori Timo Flloko në rolin e mjekut që dëshmon një rast përdhunimi, i përkushtuar të shpëtojë trupa dhe shpirtra që humbasin në atë trazirë thotë “Nuk dua të zgjohem nesër e të më vijë turp nga vetja”.
“Ajo fjali rezonoi tek ne të gjithë. Atë çast ishte një ndjenjë paqtie…Nuk di se cilat filma dokumentarë apo artistikë, cilat sekuenca, batuta, aktorë apo aktore janë të pëlqyerit e asaj audience që shtrihet nga mosha 20 deri 50 vjeçare, por jam e bindur se ka pasur sekuenca në këto javë, të cilat ata do i mbajnë mend gjatë.” Një nga veçoritë e filmave shqiptarë është trajtimi i faktorit turmë, sipas Elezit.
“Një kineast i huaj merr përsipër të bëjë historinë e një individi, të cilit i ndodh diçka dhe e zgjidh në harkun e tre akteve. Ne, regjisorët shqiptarë, shqetësimet i kemi shumë më të mëdha dhe të thella dhe ajo që vihet re është se mundohemi t’i themi të gjitha në një film; marrëdhënia e individit me shoqërinë, kolektivi, turma, mënyra sesi e humbëm veten në proceset që kemi kaluar. Kjo na bën të kuptojmë sesa e vështirë është të vijmë në vete, të bëhemi vetja.”
Elezi mendon se studimi i kinematografisë shqiptare do të sillte një pasqyrë për të gjitha llojet e shqetësimeve nga të cilat shoqëria ende nuk ka shpëtuar si mohimi i vetes, humbja e besimit thuajse në gjithçka… Sipas saj edhe filmat fiction do të ishin burim i mirë për të studiuar fenomenet e shoqërisë.
Një tjetër vështirësi që hasi kinematografia e viteve ’90 është edhe shkrirja e Kinostudios “Shqipëria e Re ,” e cila u zëvendësua disi nga “ALBA Film Studio”.“Por nga vitet 1996-’97 shtëpitë filmike prodhuan vetë. Por kur shkohet nga një sistem i centralizuar me sektorë të përcaktuar për çdo gjë, tani një regjisori i duhet të jetë edhe producent, edhe distributor.”
Elezi thotë se ka kërkuar lejen e producentëve dhe regjisorëve për filmat që janë shfaqur dhe do të vijojnë të shfaqen gjatë gjithë verës. “Kemi edhe një plus, sepse po vëmë re se nuk janë shfaqur aq shumë sa filmat e Kinostudios më herët. Pra, po sjellim diçka të re.”
Për të pasionuarit pas historisë së kinemasë ky aktivitet do të ishte një rast për të parë proceset teknologjike nëpër të cilat ka kaluar ai dhjetëvjeçar i kinematografisë shqiptare. “Është e lehtë për brezat tani, por është detyrë të studiojmë dhe të dimë më thellë, të kuptojmë mënyrat prodhimi të filmit, kimikatet e duhura, aparatet duhur…Kritika është shumë e lehtë, por ta duash punën dhe të bësh punë është shumë e vështirë.”
Sipas Elezit, tipari imediat që ka kinematografia e bën artin e shtatë shumë më të fuqishëm sesa letërsia dhe të krahasishme me muzikën në mënyrën sesi hyjnë në shqisa dhe përjetohet. Elezi zbulon se prej pesëmbëdhjetë vitesh, në institucionin që ajo drejton aktualisht, është kushtuar vëmendje si ruajtjes dhe mirëmbajtjes së shiritit filmik , por edhe në prezantimin e punëve.
“Prezantimi është po aq i rëndësishëm. Në arkiv, nuk shfaqen vetëm më të mirat, me këtë duhet ta edukojmë shikuesin. Arkivi ka për detyrë të ruajë, mbrojë dhe prezantojë çdo gjë.”Ky rrugëtim filmik mendon Elezi, se do e ndihmojë publikun të njihet me kinematografinë dhe të jenë mendjehapur dhe më dashamirë ndaj saj.
“ Filmin “Drejt Europës”, prodhim i vitit 1992 , e pamë pas 26 vjetësh dhe na bëri të humbasim mendjen. Imagjinoni gjysmë shekulli më vonë ç’efekt do të ketë!” Elezi ka zbuluar se gjatë vjeshtës AQSHF do të sjellë filmin “Dorëzimi i Shkodrës” , i restaururuar në bashkëpunim me Kinotekën e Malit të Zi dhe Laboratorin e Filmit në Hungari.
Për të restauruar një material filmik bardhezi dhe pa zë, që zgjat vetëm 9 minuta e 13 sekonda, Elezi rrëfen se ka kërkuar një vit e gjysmë punë. “Jam e bindur se, Esat pashë Toptani dhe pseudopatriotë të tjerë shqiptarë kur bënë atë akt historik në Shkodër, atë ditë, nuk u vajti mendja se do e diskutonim tani, 105 vjet më vonë.
Detyra e një arkivi është të ruajë çdo gjë, pa paragjykim dhe ta bëjë mirë për të dhënë në formë të thellua të gjithë socio-politikën për një produkt të krijuar. U takon brezave më vonë të kuptojnë.”- thotë ajo.
Veç këtij projekti që do të vijë premierë në formën e një Cine-koncerti, ku një muzikant nga Kosova ka kompozuar një pjesë origjinale në piano dhe violonçel për të shoqëruar filmin pa zë, AQSHF do të sjellë në Tiranë edhe katër nga filmat më të mirë të regjisorit spanjoll Victor Erice, i cilësuar si një ndër dhjetë kineastët më të mirë në botë. Gjithashtu me ftesë të këtij institucioni i pranishëm në kryeqytetin shqiptar do të jetë edhe vetë regjisori Erice.
Po ashtu, përfundon Elezi Arkivi bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme me festivale të filmit si Tirana International Film Festival (TIFF) dhe International Human Rights Film Festival Albania (IHRFFA), ndërsa synimi i AQSHF-së është ekspozimi i kinematografisë shqiptare në botë dhe prurja për publikun shqiptar të prodhimeve më të mira ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.