Kinema

Kineastja e parë femër dhe pionere e filmit shqiptar për fëmijë, përkujtohet Xhanfize Keko

Më 22 dhjetor 2007, ndërroi jetë regjisorja Xhanfize Keko.

Kineastja e parë femër në Shqipëri ishte pionere e filmit shqiptar për fëmijë. Rrugëtimi i saj artistik nisi në vitin 1952, kur ushtronte profesionin e montazhieres dhe të dokumentaristes.

Pas një përvoje të konsoliduar, në vitin 1971 do të ndërmerrte karrierën e regjisores.

Keko mund të cilësohet si regjisorja e “herëve të para”. Përgjatë angazhimit të saj 13-vjeçar, Keko realizoi 12 filma artistikë të mirëpritur edhe përtej vendit. Është edhe regjisorja e parë shqiptare e vlerësuar me çmime ndërkombëtare.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj të zhvilluar në Xhifoni (Itali), ka fituar medalje për realizimet “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” dhe “Tomka dhe shokët e tij”.

Për kontributin e saj në gjininë e filmit, u vlerësua me titullin e lartë “Artiste e popullit” në vitin 1984./Ata/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë