Art dhe Kulture

Kineasti Eol Çashku emërohet kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

Kineasti Eol Çashku është kryetari i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, emëruar nga Këshilli i Ministrave pas propozimit të kandidaturave nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Eol Çashku vjen nga një eksperiencë me produksione kinematografike kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe nga angazhimi në arsimin e lartë universitar, pas kthimit nga studimet e larta dhe eksperiencat kinematografike në Francë.

Përvoja profesionale 25-vjeçare e ka renditur emrin e tij në projekte franceze, belge, holandeze, izraelite e amerikane. Në cilësinë e drejtorit të produksioneve të Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Eol Çashku ka kontribuar në edukimin e qindra profesionistëve të rinj të filmit dhe medias nga Shqipëria dhe rajoni duke organizuar produksionin e më shumë se 300 filmave studentorë me metrazh të shkurtër. Spikat gjithashtu dhe bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare si OSBE, CIES, Delegacioni i BE, si dhe struktura të filmit të Gjermanisë, Italisë, Francës, Kanadasë, Izraelit dhe SHBA-ve.

Platforma e tij për menaxhimin e QKK analizon problematikat e deritanishme, duke ofruar zgjidhje konkrete, mirëadministrim e energji të re drejtuese, vizion vetëfinancues e gjenerues të ardhurash për sektorin, ku thekson edhe bashkëpunimin me ekspertët francezë nga Centre National du Cinéma (CNC), në kuadër të reformës së nevojshme rregullatore mbi kinematografinë dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Çashku parashikon përmes platformës së tij, përfshirjen e kineastëve në ristrukturimin kapilar të sistemit kinematografik shqiptar ku kapacitetet, dijet dhe eksperiencat e akumuluara duhen bashkërenduar në funksion të interesit publik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë