Ne rrjet

Kina nis ndërtimin e një kompleksi të madh ushtarak në Pekin: Gati edhe në rast të një lufte bërthamore

Gazeta Si – Një kantier i madh ndërtimi është shfaqur pranë Pekinit. Buldozerët dhe vinçat janë shpërndarë në një sipërfaqe prej përafërsisht 600 hektarësh.

Një surprizë, këto ditë, për kryeqytetin e Kinës, i cili po përballet që prej vitit 2020 me një krizë të rëndë në sektorin e pasurive të paluajtshme, e cila ka bërë që tregu i ndërtimit të shembet, duke dëshpëruar ekonominë.

Analistët e inteligjencës amerikane dyshojnë se kinezët po ndërtojnë një qendër komandimi dhe kontrolli ushtarak që do të përdoret në rast lufte.

Zona e ndërtimit u identifikua nga satelitët e “Planet Labs” dhe imazhet arritën në “Financial Times”, e cila ka burime të sigurta në shërbimet e inteligjencës ushtarake amerikane.

Duke studiuar fotot, ekspertët e inteligjencës vunë re se në zonën e mega-konstruksionit, ka gërmime të thella që duket se synojnë të strehojnë bunkerë të mëdhenj për mbrojtjen e udhëheqësve ushtarakë të Republikës Popullore të Kinës gjatë një konflikti lufte, duke përfshirë dhe atë bërthamor.

Duke dramatizuar zbulimin, burimet amerikane e pagëzuan kompleksin nëntokësor në ndërtim e sipër “Qyteti Ushtarak i Pekinit”.

Dennis Wilder, ish-analisti kryesor i CIA-s për Kinën, i tha “Financial Times” se “ky bunker i ri do të konfirmonte dëshirën e Pekinit për t’u pajisur me një aftësi luftarake bërthamore”.

Për të nënvizuar potencialin e projektit, zyrtarët amerikanë theksojnë se “Qyteti Ushtarak i Pekinit” do të jetë dhjetë herë më i madh se Pentagoni. Puna ka filluar në verën e vitit 2024 në një zonë 30 kilometra në jugperëndim të Pekinit qendror.

Në vitin 2027, ushtria kineze do të festojë njëqind vjetorin e krijimit të saj; Xi Jinping ka urdhëruar vazhdimisht gjeneralët e tij që të përgatiten për të “luftuar dhe fituar një luftë” dhe njëqindvjetori i vitit 2027 është evokuar nga politikanët e Uashingtonit dhe zyrtarët e Pentagonit si një “T-Day” i mundshëm: pushtimi i Tajvanit.

Këto janë vetëm hipoteza, të mohuara nga konsiderata të tjera strategjike dhe politike, sipas të cilave Xi Jinping e di mirë se forcat e tij nuk do të ishin të gatshme operacionalisht për të pushtuar ishullin dhe se një përpjekje zbarkimi do të shkaktonte një reagim nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, kinezët po zgjerojnë gjithashtu arsenalin e tyre të raketave bërthamore dhe ndërtimi i një qendre komandimi dhe kontrolli nëntokësor pranë Pekinit natyrisht rrit nivelin e vëmendjes nga Perëndimi.

Nga pamjet satelitore mund të përcaktohet vetëm se punimet janë ambicioze, duke numëruar të paktën njëqind vinça dhe analistët e Uashingtonit imagjinojnë se në një sipërfaqe prej rreth pesë kilometrash katrorë, përveç bunkerëve, do të ketë një sërë tunelesh për t’u gërmuar, për t’i lidhur ato dhe për të furnizuar me karburant.

Ambasada kineze në Uashington tha se “nuk ishte në dijeni” për ndonjë plan dhe përsëriti se qeveria e Republikës Popullore “është e përkushtuar ndaj një rruge zhvillimi paqësor dhe një politike të një natyre mbrojtëse”.

Gazetarët nga zyra e “Financial Times” në Pekin, u përpoqën të zbulonin vendin, në zonën e Qinglonghu.

Ata vunë re se ndryshe nga pjesa tjetër e kryeqytetit, ku aktiviteti ndërtimor ngec nën peshën e krizës, puna atje po ecën me shpejtësi; Megjithatë, nuk ka zyra reklamimi dhe shitjeje për asnjë ndërtesë për qëllime komerciale dhe asnjë njoftim në ueb për një projekt kaq masiv zhvillimi.

Gazetarët nuk vunë re praninë e ushtarëve, por vunë re disa tabela që ndalonin fluturimin e dronëve mbi zonë.

Nga vitet 1950, deri në vitet 1970, Mao Ce Duni kishte të paktën gjashtë mijë strehimore për sulme ajrore të gërmuara nën ndërtesat e Pekinit: në ato kohë qeveria komuniste kishte frikë nga një sulm nga “imperialistët amerikanë” dhe, pas përçarjes ideologjike me Moskën, druhej gjithashtu për një “surprizë” të mundshme sovjetike.

Me përfundimin e Luftës së Ftohtë (të parë) dhe bumin e madh të ekonomisë kineze, shumë prej atyre bunkerëve të vjetër të papërdorur u bënë shtëpia e dhjetëra mijëra punëtorëve të rinj emigrantë në kryeqytet të detyruar nga kostot e tepruara të strehimit për të jetuar.

Ushtria kineze ka tashmë të paktën një bunker të madh nëntokësor në Pekin, ku do të strehohej udhëheqja ushtarake dhe politike në rast të një sulmi.

Ndodhet nën kodrën e pyllëzuar të Xishanit, rreth njëzet kilometra në perëndim të Zhongnanhai, kështjella e pushtetit ku jeton dhe punon Xi Jinping, disa hapa nga Tiananmen dhe Qyteti i Ndaluar.

Vendosja e qendrës komanduese nuk është sekrete, për këtë ka folur edhe në vitin 2016 shtypi i Pekinit, që e quan atë “truri”, sepse aty, shumë strategë të Ushtrisë Popullore punojnë në ilegalitet.

Sruktura daton në vitet ’80; ekzistenca e saj ishte u zbulua për publikun në vitin 2016 gjatë një inspektimi nga Xi Jinping, i veshur me kamuflazh si Kryetar i Komisionit Ushtarak Qendror.

Edhe fuqitë perëndimore, natyrisht, kanë qendra komandimi dhe kontrolli nëntokësore, të ndërtuara për t’i bërë ballë luftës bërthamore. Shembuj të famshëm në Shtetet e Bashkuara, janë bunkerët e mëdhenj të Raven Rock Mountain në Pensilvani dhe tuneli nën malin Cheyenne në Kolorado, Baza e Komandës së Forcave Ajrore.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë