Bota

Kina kundër lojës me letra, të dashur nga 140 milionë persona: E rrezikshme, nxit përtacinë dhe mosbindjen

Gazeta Si - "Hedhja e vezëve" është emri tjetër që përdoret në Kinë për të treguar “guandan”, një lojë shumë e njohur me letra në të cilën garojnë skuadrat me dy kundër dy.

Jiangsu, provinca kineze ku ndodhet Nanjing dhe ku lindi “guandani”, kishte propozuar madje ta bënte atë një "trashëgimi kulturore të paprekshme": kjo nuk është për t'u habitur, duke marrë parasysh se ka rreth 140 milionë të apasionuar.

Deri vitin e kaluar, Kina promovoi lojërat si një mjet për të lehtësuar marrëdhëniet njerëzore dhe kontaktet profesionale: shumë punëtorë, veçanërisht ata në sektorin financiar, e përdornin atë si argëtim gjatë pushimeve.

Por tani, pas dekadash, duket se epokës së artë të “guandanit” i ka ardhur fundi: Partia Komuniste Kineze beson se ajo nxit përtacinë, pasivitetin ndaj punës dhe formimin e grupeve të vogla.

Gazeta shtetërore “Beijing Youth Daily”, e përkufizon atë si toksike dhe "dekadente": "Duhet mbajtur nën kontroll, rrit dëshirën për të jetuar në një mënyrë të thjeshtë, pasive".

Një foto ka rrjedhur gjithashtu nga një kompani që tregon një formular që I kërkon të raportojë kolegët që luajnë letra dhe nëse janë krijuar ndonjë grup i vogël.

“Si të gjitha klubet, – shkruan një gazetë tjetër, – rrezikon të korruptojë barazinë sociale dhe drejtësinë. Mbikëqyrja dhe ndëshkimi i ashpër do të ishte i nevojshëm, në interes të vetë lojtarëve”.

Politika anti-Guandan është pjesë e një fushate të gjerë kundër korrupsionit, e cila gjithashtu përfshin golfin në mesin e aktiviteteve të rrezikshme. Arsyeja?

Këto janë aktivitete të dobishme për bashkimin e njerëzve (veçanërisht në rastin e golfit, atyre të profilit të lartë), gjë që rrezikon të çojë në përmbysjen e rendit.

Wen-ti Sung, i cili jep mësime të shkencave politike në Universitetin Kombëtar Australian, konfirmon: "Hobi i lojës me letra politizohet si shenjë e mungesës së produktivitetit dhe performancës së dobët, e cila nga ana tjetër çon në korrupsion dhe mosbindje”.

Të apasionuarit e shumtë nuk janë të kënaqur me këto kritika dhe nuk e kursejnë mendimin e tyre në internet: “Është e thjeshtë për t'u mësuar dhe është një mënyrë e shkëlqyer për të thyer akullin. Nuk ka asgjë të keqe me këtë. Në këtë pikë, pse të mos ankohemi edhe për ping pongun?”, komentojnë me ironi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë