Politike

Kim i përgjigjet Ramës: Pastrimi i listave është detyrim ligjor, jo se e kërkoj unë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim iu përgjigj Kryeministrit Edi Rama duke deklaruar se pastrimi i listave të kandidatëve nga emrat me precedentë penalë nuk duhet të bëhet se po e kërkon ajo, por se e kërkon ligji.

“Udhëheqësit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre vetëm sepse po e kërkon ndonjë ambasador, apo se SHBA e ka bërë të qartë se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë parësore. Ata duhet ta bëjnë sepse e kërkon ligji shqiptar, është ajo çfarë pritet nga një vend i NATO-s dhe kandidat për BE dhe është shenjë thelbësore respekti për votuesit”, shkroi Ambasadorja Amerikane në rrjetet sociale.

Kim nuk e përmend emrin e Kryeministrit Edi Rama, por mesazhi i saj mbërrin një ditë pasi kreu i Qeverisë deklaroi në një konferencë për shtyp se “e dinte detyrën e tij dhe se nuk ishte nevoja që këtë t’ja kujtonte asnjë ambasador”.

“Po e them publikisht se ia kam thënë edhe personalisht. Unë nuk kam nevojë të ma thotë ambasadorja amerikanë detyrën time. Kam shumë respekt, ajo është në të drejtën e vet. Mos ma nxirrni përpara ambasadoren amerikane. Nuk kam nevojë të ma kujtojnë punën time asnjë ambasador. Unë e di shumë mirë detyrën time karshi ligjit dhe popullit shqiptar. Ligji është fare i qartë. Kush ka bërë në të shkuarën vepra penale për të cilat është dënuar duhet të mos kandidojë për një funksion publik”, tha Rama.

Megjithatë, Kryeministri u shpreh se përgjegjësia për emrat që u ndalon ligji i dekriminalizimit të kandidojnë nuk është e tij apo e partisë, por personale e kandidatit.

“Nuk është përgjegjësia ime. Ata të cilët në një moment të caktuar abuzojnë me detyrën, funksionin, ligjin dhe me të tjerët, është përgjegjësi individuale. Nuk ka përgjegjësi kolektive në këtë sistem që kemi zgjedhur. Partitë nuk përgjigjen pse një anëtar iku në drejtim të gabuar, por mbajnë përgjegjësi për mënyrën sesi reagojnë, e mbajnë në mbrojtje apo jo”, u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë