Teatri Shëtitës “Çajupi” thyen karantinën dhe nis udhëtimin me shfaqjen “Boeing-Boeing” në Kosovë. Shfaqja më e suksesshme teatrore e viteve të fundit, ishte dje në Teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu” në orën 19:00.
“Në një kohë çmendurie t’i qëndrosh përballë çmendurisë është çmenduri”, është slogani që regjisori Kiço Londo ka zgjedhur për të prezantuar “Boeing-Boeing”, në skenën e teatrit në Kosovë.
Regjisori Londo shprehet se komedia “Boeing-Boeing” e ka kaluar numrin 150, dhe ka numrin më të madh të shfaqjeve në vendin tonë këto 30 vite. “Boeing Boeing” e ka kaluar numrin 150 dhe është padyshim komedia me numrin më të madh të shfaqjeve gjatë 30 viteve në Shqipëri”, do të shprehej regjisori Londo gjatë një konference shtypi.
Teatri Shëtitës “Çajupi” paralelisht me këtë vepër që ishte dje në Gjakovë ka filluar punë me përgatitjen e premierave të reja.
“Jetojmë në ditë shumë të vështira. Por ne të Teatrit Shëtitës u mblodhëm dhe vendosëm: Teatri do të kthehet patjetër. Historia e ka provuar këtë”, thuhej mes të tjerash në njoftimin e Teatrit.
Ndër të tjera, në njoftim vihet në dukje se “duhet të jemi të hapur për të qenë në gjendje ta bëjmë këtë punë, të mësojmë të jemi në dispozicion dhe në të njëjtën kohë të mësojmë të mbrojmë kufijtë tanë, hapësirën tonë të jetesës, integritetin”.
Komedia “Boeing-Boeing” pas Kosovës do të ngjitet dhe në skenat teatrore të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Shfaqja
Me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera, vepra është vënë në skenë me regji nga Kiço Londo.
Në këtë komedi në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili. Ngjarjet në komedinë franceze ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing-Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



