Art dhe Kulture

Kiço Londo dorëzon detyrën: Ndjej se po më largojnë nga shtëpia ime…

Pas 6 vitesh në krye të Teatrit Eksperimental, Kiço Londo sot dorëzoi detyrën, pak ditë pas shkarkimit.

Në një komunikim me artistët dhe gazetarët, ku e pranishme ishte dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nuk e fshehu trishtimin për largimin, madje është shprehur se ndjehet sikur po e largojnë nga shtëpia e tij, siç e cilëson ai Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

“Nuk dua ta fsheh që ndihem i trishtuar dhe i keqardhur që më duhet për shkak të respektimit të institucionit të iki nga kjo shërbesë e ti lë vendin drejtorit pasardhës. Ndjehem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime. Bashkë kemi ndërtuar 10 salla në kryeqytet. Më dhemb! Unë s’jam drejtor, e s’kam qenë drejtor se drejtorët nuk janë si unë. Falënderoj artistët e publikun dhe të gjithë ata që më kanë zgjatur dorën në këtë transformim të jashtëzakonshëm. Ky teatër është pjesë e bukur dhe vijë ndarëse”, tha ai.

Në krye të Eksperimentalit u emërua regjisori Altin Basha. Emri i tij u propozua nga Ministria e Kulturës. Një komision i ngritur pranë saj, në një konkurs pa thirrje publike e megjithatë, i postuar pa bujë në uebin ku vet ka pritur konkuruesit. Ndërkaq Londo u shkarkua me një vendim që mban firmën e zv.kryeministrit, Erjon Braçe.

Ndërkohë, pasardhësi i tij, Altin Basha ka folur si drejtor i Teatrit Eksperimental.

Basha është shprehur se në këtë pozicion ka njëfarë eksperience dhe kur u hap thirrja konkurroi pasi mendon se mund të çojë para frymën e teatrit me artistë të rinj.

Basha thekson edhe se për një kohë të gjatë ka menduar se si mund të reformohet Teatri Eksperimental dhe garanton se i ka mundësitë.

“Pas thirrjes së hapur dhe konkursit e intervistës erdha këtu. Është pozicion ku kam njëfarë eksperience. Ka ndikimin e frymës së kërkimit. Është gjenerator i ditëve të reja dhe për një kohë të gjatë kam menduar si mund të reformohet teatri shqiptar në mënyrë që të fuqizohet alternativa. Teatri e ka mundësinë për të qenë i tillë. Ky element ndoshta është arsyeja që mora pjesë në konkurs. Për 10-15 vjet kam punuar me artistë të rinj për ta çuar më tej frymën që ka ky teatër”, tha Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë