Ekspozite

Këto, nuk janë foto!

“Kjo, nuk është një llullë”, shkruante piktori surrealist Rene Magritte, poshtë pikturës së tij të famshme, që më shumë se titulli “Natyra tradhtare e imazheve”, u bë aq e njohur dhe e diskutuar pikërisht për shënimin e artistit belg, nën atë tablo që qartazi shfaqte objektin, të cilin  krijuesi i imazhit e mohonte. “E famshmja llullë. Si mund të më qortonin njerëzit për të! E megjithatë, a mund ta mbushnin me duhan llullën time? Jo, është thjesht një përfaqësim, apo jo? E nëse do të kisha shkruar në pikturën time ‘Kjo është një llullë’, do të kisha gënjyer”, shpjegonte më vonë piktori.

Në një tjetër zhanër të lëvruar vite më vonë shkëlqimit të Surrealizmit,  një piktor shqiptar ka vendosur ta titullojë ekspozitën e parë vetjake “Këto nuk janë foto”. Edhe pse, për t’u  bindur , duhet t’u shkosh pranë pesë tablove të ekspozuara në mjediset e hotel “Plaza” për  të parë nga afër se portretet njerëzorë, që ai i ka postuar edhe në rrjetet sociale nuk janë fotografi. Ashtu si natyra tradhtare e imazheve që përshkruan Magritte, që vijnë si përfaqësim i objektit dhe jo objekti vetë,  tablotë e Gëzim Metës, janë mashtruese për syrin apo siç do ta quanin francezët “trompe l’oeil”.

Është kjo karakteristika e parë e Hiperrealizmit, rrymë të cilin piktori shqiptar, autodidakt,  përfaqëson. “E nisa më 2015-ën”, zbulon ai, ndërsa tregon tablonë e parë që e realizoi në këtë stil. Është portreti i një zotërie, ku vihet re kontrasti i ngjyrave dhe teknikës bardhezi, në dy anët e fytyrës. Kështu kaloi, rrëfen, nga piktura realiste, me pak nota abstrakte, tek ajo hiperrealiste, pasi bëri një kërkim se cila ishte rryma përfaqësuese e epokës, në shoqërinë postmoderne. “Nëse shohim një ëndërr, nuk kemi si e sjellim përveçse me anë të fjalëve.  Por,  si mund ta sillnim të gjallë, edhe vizualisht? Këtë do ta bënte vetëm Hiperrealizmi”,  thotë i bindur ai. 

Piktori Gëzim Meta pranë autoportretit, realizuar në stil hiperrealist.

Me shpikjen e fotografisë, do të vihej në diskutim edhe roli i piktorit, që për shekuj ishte përpjekur të imitonte jetën dhe të kishte në qendër subjektet njerëzore. E megjithatë, piktorët e gjetën shtegun përmes abstraksionizmit, që fitoi terren dhe popullaritet në vitet ’20, duke i ikur aspiratës së artistëve, që prej antikitetit grek, me realizimin e thellë. Nuk ishte më kjo avangarda. Por piktorët e fund viteve ’60 dhe fillim viteve ’70, nuk do gjenin shtigje për t’i ikur fotografisë, por do ta sfidonin atë drejtpërdrejt. Lindi kështu rryma e quajtur Fotorealizëm – piktura tejet realiste, të bazuara në shkrepje fotografish.  Ishte ky pararendësi i Hiperrealizmit, që lindi si interpretim piktorik i një fotografie.  Carole Feuerman është pararendësja e lëvizjes së Hiperrealizmit, bashkë me Duane Hanson dhe John De Andrea.

“Nuk është e lehtë të bësh Fotorealizëm”, thotë Meta, ndërsa  shpjegon fillimet e rrymës , së cilës ka vendosur t’i dedikohet prej katër vitesh tashmë. Një grupim artistësh të pavarur do të bënin një ekspozitë, ku kritikonin rrymat avangarde si impresionizmi dhe abstraksionizmi. “Pastaj lindi rryma PopArt, me përfaqësues Andy Warhol dhe, subjekti i asgjësuar deri në atë kohë nga piktorët avangardë, u rikthye  në qendër të artit”, rrëfen piktori. Këtu bëri hyrjen Hiperrealizmi.

Tregtari belg i artit, Isy Brachot  e gjeti termin Hyperréalisme, si titulli i një ekspozitë të madhe në galerinë e tij në Bruksel, më 1973-shin. Që prej asaj kohe, Hiperrealizmi është përdorur nga artistët europianë dhe tregtarët e artit për piktorët e frymëzuar nga Fotorealistët. Mes piktorëve bashkëkohorë europiane të zhanrit hiperrealist gjejmë  Gottfried Helnwein (Austri), Willem van Veldhuizen dhe Tjalf Sparnaay (Holandë), Roger Wittevrongel (Belgjikë), si edhe francezat  Pierre Barraya, Jacques Bodin, Ronald Bowen, François Bricq, Gérard Schlosser, Jacques Monory, Bernard Rancillac, Gilles Aillaud dhe  Gérard Fromanger. Ata më të njohurit nuk janë më shumë se 36 të tillë, thotë Meta, i cili do të shkonte në një ekspozitë me rastin  e 50 vjetorit të kësaj rryme në Rotterdam të Holandës, ku pa nga afër se ç’ishte Hiperrealizmi europian.

“Hiperrealizmi e vendos subjektin në qendër, duke futur edhe elementë socialë, ndjenjë,  emocion, elementë filozofikë, groteskë,  e pasuron subjektin dhe e kalon në një hap përtej.  Këtu  e gjej veten dhe unë”, thotë Meta, ndërsa tregon se piktura e dytë që realizoi në stil hiperrealist ishte një autoportret. “Thonë se kushdo piktor  që ka realizuar autoportrete, ka dështuar”, thotë Meta, duke qeshur, ndërsa atë tablo me subjekt veten e pati si dëshmi të artit të tij.

Do të realizonte më pas një tablo me tematikë luftën e Sirisë, ku subjekt është një fëmijë i vogël, i gjakosur dhe i fashuar, në një sfond të rrënuar të pasojave shkatërrimtare të luftës. “Nuk kam marrë një fotografi, duke njohur të drejtat autoriale”, saktëson ai, ndërsa hiperrealistët fillimisht janë frymëzuar nga burime referenciale të imazheve fotografike, për të realizuar pikturat e tyre, edhe pse jo si një imitim literal i tyre. “Me këtë informacion që na përcillej, si artist, ndjeva dhimbje dhe keqardhje për viktimat e luftës”, thotë ndërsa zbulon sesi arriti deri tek rezultati përfundimtar. Një ditë ndeshi një lypëse me fëmijën e saj dyvjeçar në rrugë, e bindi për ta çuar në studio, i rrëfeu projektin, fashoi fëmijën, e leu me gjak artificial, realizoi disa shkrepje dhe nisi punën për realizimin e pikturës. “Përtej fotografisë, shtova sfondin monokrom që tregon çdo gjë të vdekur, arenë lufte”.Pasi e çoi pikturën tek mjeshtri i kornizave, mendoi se ishte e pavend që ajo tablo që sillte dhimbjen e luftës, të vishe në luks. “Vendosa ta fashoja edhe kornizën”, zbulon piktori.

Puna e tretë, e cila vjen e ekspozuar është portreti i Mbretëreshës Elizabeta e Dytë e Anglisë dhe bashkëshortit të saj,  Princit Filip. Ishte një porosi e ambasadës britanike në Tiranë, zbulon ai. “Subjekti është sjellë në dimensione dhe thjeshtësi humane. Mbretëresha është zhveshur nga madhështia e saj si monarke, me bashkëshortin, dukën e Edinburgut  me një urë kohore, nga  e kaluara në të tashmen për të thënë se koha ka kaluar vetëm në lëkurë dhe jo në ndjenjën që kanë për njëri-tjetrin”, shpjegon Meta tablonë e tij, duke zbuluar se piktura u prezantua më 13 qershor të 2018-ës, për ditëlindjen e mbretëreshës në një ceremoni ku morën pjesë trupi diplomatik, ministra, deputetë dhe presidenti i Republikës. “U prit mjaft mirë. Shumë prej tyre kujtonin se ishte poster dhe vinin për foto. Duke  qëndruar afër veprës,  u thosha se ishte pikturë dhe ua shpjegoja”.

“E gjithë kjo që po ndodh në kulturën postmoderne  është një jetë hiperreale. Në rrjetet sociale, njerëzit e shfaqin veten me pompozitet, duk iu mbivendosur realitetit.

Për të realizuar tablonë e çiftit mbretëror,  zbulon se i janë dashur nëntë muaj. Tabloja me fëmijën nga lufta e Sirisë, afro pesë muaj “sepse fashoja është punë shumë e lodhshme, me detaje”, thotë, autoportreti dy muaj, një tablo e përmasave të vogla, sërish me tematikë nga lufta e Sirisë në muaj dhe e para, me të cilën e nisi, portreti i Presidentit të Shoqatës Zvicër-Shqipëri, për Shkëmbim Ekonomik, një muaj e gjysmë. Ndaj në këtë ekspozitë të parë solo,  më shumë sesa tematika, prioritet ishte prezantimi i zhanrit. “Edhe titullin "Këto nuk janë foto”  ia vura,  sepse shumëkush, nëpërmjet telefonit ose mundësive të tjera, mendojnë se janë foto të cilësisë së lartë.  Kështu  për të intriguar dhe për t’i bërë kureshtarë të vinin  t’i prekin “këto foto”, që janë piktura të bëra më shumë sakrificë dhe mund, vendosa titullin”, thotë duke pranuar se përplasja tematike në këtë ekspozitë është dramatike, duke kapërcyer nga viktimat e luftës në Lindjen e Mesme tek monarkët britanikë.

“Më pëlqen të bëj gjëra paradoksale, të përplas gjëra të kundërta. Edhe në  baret e mia kam vënë emrin “Godfather”, emër mafioz, edhe pse nuk e lidh me veten. Më pëlqen që mafien, që supozohet diçka e dhunshme, brutale, e errët, t’i jap  ngjyra artistike”.Thotë se dëshironte fillimisht të realizonte një ekspozitë me pikturat e mafiozëve më të famshëm të botës “por  e vështirë të gjeja foto të qartë, megjithatë me  përvojën që kam fituar di ta materializoj lëkurën, edhe pa pasur referencë.”Kjo rrymë e vuri edhe njëherë theksin tek rëndësia e artit dhe demonstroi se piktura prevalon mbi fotografinë dhe nuk mposhtet nga teknologjia. “Nuk mund të humbasë kurrë vlera e punës së dorës, cilado qoftë ajo. Çdo gjë që bëhen me mund dhe pasion. Edhe fotografët kanë vlerën e pamohueshme, por pikturës nuk mund t’ia zërë vendin askush”, thotë Meta.

Një demonstrim i mënyrës se, fotografia u asimilua në botën e artit është suksesi i pikturës fotorealiste në fund të ’60 dhe fillim të ’70,  do të shkruante Graham Thompson. Edhe pse në fillim të shekullit të 21-të, Hiperrealizmi u bazua tek parimet estetike të Fotorealizmit,  bie në kontrast me qasjen e fjalëpërfjalshme të gjetur në pikturat tradicionale fotorealiste të fundshekullit 20. Piktorët dhe skulptorët hiperrealistë përdornin imazhet fotografike si burim reference,  nga e cila krijonin një interpretim më përkufizues dhe të detajuar, që shpesh, ndryshe nga Fotorealizmi, është narrativ dhe emotiv në portretizimet e tij.

“Fotografinë mund ta mund ta grisësh mund të dëmtohet, zbehet, nga koha apo faktorë të ndryshëm,  por piktura rron edhe 500 vjet.

Fotorealistët striktë u prirën të imitonin imazhet fotografike dhe shpesh harronin emocionin njerëzor, vlerën politike dhe elementët narrativë. Me zhvillimin e pop artit,  stili fotorealist i pikturave u bë shumë i ngushtë, preciz dhe tejet mekanik me një theks tek imazheria mondane e përditshmërisë. Hiperrealizmi megjithëse fotografik në thelb, shpesh ka një fokus më të butë dhe shumë më kompleks në subjektet e pikturuara, duke i paraqitur si një objekt i gjallë dhe i prekshëm. Këto objekte dhe skena në pikturat dhe skulpturat hiperrealiste janë shumë të detajuara sa të krijojnë iluzionin e një realitet që nuk shihet në foton origjinale. Kjo nuk do të thotë se janë surreale, duke qenë se iluzioni qëndron në portretizimin  bindës të realitetit të simuluar. Materialet, sipërfaqet, efektet e ndriçimit dhe hijet duken  më të qarta dhe më të dallueshme, sesa tek fotografia referenciale apo edhe tek  vetë subjekti.

“Më pëlqen që në pikturat e mia të tregoj  një realitet që nuk ka ekzistuar kurrë”, thotë Meta, duke iu referuar kështu filozofisë së Hiperrealitetit të Jean Baudrillard, “Simulimi i diçkaje që nuk ka ekzistuar kurrë”. Hiperrealiteti, në semiotikë dhe postmodernizëm, është paaftësia e vetëdijes të dallojë realitetin nga një simulim i realitetit, veçanërisht në shoqëritë postmoderne, të  avancuara teknologjikisht.  Hiperrealistët  krijojnë kështu  një realitet të rremë, një iluzion bindës bazuar në simulimin e realitetit, fotografisë digjitale. Ndërsa Fotorealizmi rivalizoi fotografinë analoge, Hiperrealizmi përdori imazherinë digjitale dhe u  zgjerua për të krijuar një kuptim të ri të realitetit. Pikturat hiperrealiste dhe skulpturat e përballin kundruesin me iluzionin e imazheve të manipuluara me rezolucion të lartë, megjithëse shumë më të përpikta.

“Hiperrealizmi është pjesë e punës sime, nga sot e tutje”,  thotë Meta, duke e cilësuar këtë rrymë si e ardhmja e pikturës. “Jo çdo njeri që spërkat murin me bojë, quhet artist”, thotë ai duke qeshur, ndërsa vetë zbulon se ka qenë i tërhequr gjithnjë nga mjeshtrit e mëdhenj të artit Barok dhe të Rilindjes, të cilët kishin subjektin njerëz qendër të veprave të tyre. Por skeptikët ose ithtarët e rrymave abstrakte të pikturës, mund të vinin në pikëpyetje rolin e Hiperrealizimit, në një kohë kur ekziston fotografia  “Fotografinë mund ta mund ta grisësh mund të dëmtohet, zbehet, nga koha apo faktorë të ndryshëm,  por piktura rron edhe 500 vjet. Në luftën me kohën, piktura është maratonomak që nuk pushon së renduri”, thotë Gëzim Meta. Tablotë në stilin hiperrealist do të ishin kujtime të mira për të pasur, si të ishte gjallë,  një të afërm apo njeri të dashur që nuk jeton më. Subjektet  në pikturat hiperrealiste variojnë nga portretet,  natyrat e qeta, peizazhet,  pamje qytetesh dhe skena narrative.

Piktorët hiperrealistë njëherazi simulojnë dhe përmirësojnë imazhet e sakta fotografike për të prodhuar iluzionin bindës optik mbi realitetin, shpesh në kontekste sociale dhe kulturore. Disa hiperrealistë kanë ekspozuar regjime totalitare dhe qeveri ushtarake të botës së tretë përmes portretizimeve të tyre narrative të trashëgimisë së urrejtjes dhe mungesës së tolerancës.Të tjerë kanë sjellë gjendjen e korruptuar njerëzore përmes pikturave narrative si mjet fenomenologjik. Këto piktura me dimensione reale janë një komentar historik i keqtrajtimit grotesk të qenieve njerëzore. “E gjithë kjo që po ndodh në kulturën postmoderne  është një jetë hiperreale. Në rrjetet sociale, njerëzit e shfaqin veten me pompozitet, duk iu mbivendosur realitetit. Ashtu siç thotë edhe Baudrillard, personazhet e televizionit, mediave, internetit duken më cool në ekran sesa në jetën e përditshme”, thotë Meta.

Thotë se ka menduar një ekspozitë të dytë, një projekt nga i cili zbulon disa detaje.  “Duke qenë i pasionuar pas astronomisë, planetëve dhe yjeve, futem në një botë ku imagjinata dhe dilemat për hapësirën, sekrete e saj, më çojnë në dimensione jashtë njerëzores. Në këtë projekt kanë marrë pjesë  shumë njerëz, tipa të çuditshëm, interesantë, nga familja ime dhe miq, duke i kthyer në personazhe. Subjektet do të jenë njerëzor, por të mbërthyer figurativisht në dimensionin e tyre kozmik.” Në projekt e asistojnë një fotograf francez dhe bashkëshortja e tij floriste, që ka bërë inskenimin e personazheve. “E para pikturë pas kësaj ekspozite, do të jetë nga ky projekt. I kemi realizuar fotot dhe pres të bëjë një dokumentar dhe një katalog. Të gjithë personazhet do të ishin për ndonjë film me heronj të Galaktikës nga “Marvel””, thotë Meta.

“Siç thotë edhe Salvador Dali, e ardhmja është Hiperrealizmi”.

Për  transferimin e imazheve në telajo, hiperrealistët përdorin mjete mekanike, siç janë vizatimet paraprake, ose në rastin e skulpturave derdhje në forma. Projeksione fotografike, ose projektorë multimedialë përdoren për projektimin e imazheve në tablo dhe teknika rudimentare si rrjetëzimi shfrytëzohen për siguruar saktësinë.  Imazhet hiperrealiste janë zakonisht 10 deri 20 herë më të mëdha se përmasat e fotografisë origjinale, e megjithatë ruajnë rezolucion të lartë në ngjyrë, saktësi dhe detaj. Shumë nga pikturat arrihen me airbrush, duke përdorur bojëra vaji, akrilike, ose kombinim i të dyjave. “E gjithë tabloja e mbretëreshës  është bërë me tri ngjyra;  blu, e verdhë dhe e kuqe”, zbulon piktori, duke nisur nga detajet e lëkurës, shkëlqimi e deri tek veshjet.

Për nëntë muaj përballë këtyre dy subjekteve, çdo gjë e çkodoja me ngjyra, sa përqind e verdhë,  sa përqind e kuqe... aq thellë kisha hyrë”, thotë piktori autodidakt, i cili pas Liceut artistik, zgjodhi të studiojë Drejtësi dhe gjithçka rreth pikturës e ka mësuar vetë. “Jam sfidues me veten, të lodhem  në fillimet e mia që në të ardhmen të  jem më komod dhe t’i kem kaluar këto faza të sakrificës”, thotë Meta, ndërsa shton në fund “Siç thotë edhe Salvador Dali, e ardhmja është Hiperrealizmi”. Ndërsa historiani i Dalisë, Paul Chimera se mjeshtri surrealist, ishte hiperrealist përpara se Hiperrealizmi të ishte në modë. Sot jo vetëm është në modë, por përfaqëson edhe narrativën e shoqërive psotmoderniste, ku gjithnjë e më shumë bëhet e vështirë të dallosh realitetin nga iluzioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë