Menaxhim

KESH s’përballon dot temperaturat. Blen 53 mijë megavatorë energji për 7 ditë

Nga Gazeta ‘SI’ – Temperaturat e larta kanë rinxjerrë KESH në tregun e jashtëm të energjisë, për të përmbushur nevojat e brendshme.

Njoftimi i fundit i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare tregon se ka blerë më shumë se 53 mijë megavatorë energji për datat 29 korrik – 4 gusht. Çmimi mesatar i ofruar për lotin e parë të energjisë, 42 mijë MWh është 131.7 euro dhe për 11 mijë MWh 123 euro.

Një javë më parë, KESH bleu rreth 50 mijë megavatorë energji për 8 ditë konsum,  me çmime të ndryshme sipas loteve, ku më i larti ishte 148 euro/MWh.

Në bursën hungareze HUPX, çmimet e energjisë kanë pësuar një normalizim, që mbështetur në parashikimin meteorologjik, do të jetë i përkohshëm. Sipas statistikave në bursë, një MWh mund të blihet nga 65 në 139 euro/MWh, sipas orarit të blerjes.

KESH iu rikthye blerje së energjisë më herët gjatë korrikut, kur temperaturat në vend arritën nivele rekord. Në fillim të muajit, për shkak të transferimit të energjisë nga shtetet fqinje në një ndër ditët më të nxehta të vitit, Shqipëria dhe rajoni përjetuan një black-out energjetik për disa minuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë