Lajme

Kërkuan azil në Francë dhe Gjermani, riatdhesohen 100 shqiptarë

Rreth 100 azilkërkues shqiptarë janë riatdhesuar së fundmi në Shqipëri, pas refuzimit të kërkesave për azil në vendet e BE-së ku ata kishin aplikuar, kryesisht në Francë e Gjermani.

Zv. Ministrja e Brendshme, Rovena Voda ka bërë edhe një herë një apel për qytetarët shqiptarë të mos aplikojnë për azil të paligjshëm, pasi shanset për ta përfituar janë zero.

Ajo ka sqaruar se e drejta për të migruar i përket çdo shtetasi, por vetëm nëpërmjet procedurave normale, ligjore të pranuara nga të gjitha vendet demokratike.

Në një prononcim për mediat Voda nënvizoi faktin se vendet e BE-së kanë nisur të aplikojnë dispozita ligjore më të ashpra ndaj azilkërkuesve shqiptarë, sidomos Gjermani dhe Franca.

Bëhet fjalë për shqiptarët e parë të riatdhesuar për këtë vit që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

“Shqipëria është në listën e vendeve të origjinës së sigurt, pra do të thotë është një shtet me të gjithë standardet, për një jetesë normale, një shtet demokratik, me një qeverisje demokratike dhe shtetasit shqiptarë kanë shanse zero për t’u pranuar kërkesat për azil”, deklaroi ajo.

Sa i përket legjislacionit të BE-së, Voda ka theksuar faktin se vendet e BE-së kanë nisur të aplikojnë dispozita ligjore më të ashpra ndaj azilkërkuesve shqiptarë, sidomos Gjermania dhe Franca.

“Ky legjislacion tashmë në Gjermani ka ndryshuar, madje do të ndryshojë prapë. Legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën, vijoi Voda. -Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. U bëj thirrje shtetasve shqiptarë, të gjithë atyre që duan të lëvizin, patjetër është e drejta e tyre, që duan të migrojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, të zgjedhin rrugën e migrimit të sigurt dhe të rregullt”, u shpreh ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë