Drejtësia

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Ervin Salianjit, ish-deputeti demokrat mbetet në qeli

Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e kërkesës së ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji për pezullim të ekzekutimit të dënimit të tij me 1 vit burg për "kallëzim të rremë" publik.

Vendimi është marrë nga trupa gjykuese që kryesohet nga Sokol Binaj dhe antarë, Ilir Panda dhe Sandër Simoni.

"Mospranimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Ervin Salianji, për Pezullimin e vendimit nr. 2900 datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë, lënë në fuqi me vendimin nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë", - njofton Gjykata e Lartë.

Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej 27 shtatorit, pasi akuzohet për “kallëzim të rremë publik” në lidhje me çështjen “Babale”, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg.

Arrestimi i tij u pasua me një sërë reagimesh politike të opozitës, të cilët e cilësuan si vendimmarrje politike me urdhër të kryeministrit Rama. Opozita nisi me mosbindjen civile që në seancën plenare e kulmoi me protestën e 7 tetorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë