Drejtësia

Kërkoi zbutje të masës së sigurisë, Apeli i Posaçëm lë në qeli ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj

Gazeta Si- Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj për t'u gjykuar në një masë më të butë sigurie për aferën e "Sterilizimit", duke lënë të pandryshuar vendimin e shkallës së parë.

Përmes avokatit të tij, Rrjepaj kërkoi revokim ose masë më të butë sigurie se "arrest në burg", kërkesë e cila u rrëzua nga gjyqtari Florjan Kalaja.

Klodian Rrjepaj u arrestua në datë 17 gusht të vitit 2023 me urdhër të SPAK, për llogari të hetimeve që nisi kjo strukturë për "Sterilizimin".

Pak ditë më parë, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, la burgun dhe me pranga në duar u soll për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë për koncesionin e sterilizimit me lejen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Rrjepaj foli në Komisionin Hetimor edhe për një udhëtim në Itali me ministrin e Shëndetësisë së asaj kohe, Ilir Beqaj, ku kanë nisur një bashkëpunim me Universitetin e Peruxhias.

Nga dosja e SPAK, duket se miqësia e Beqajt, Rrapajt dhe Rrjepajt ka vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, e provuar kjo nga udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit.

Ai mohoi të ketë abuzuar me detyrën, duke shtuar se ndaj tij është montuar një akuzë për një vepër penale që nuk e ka kryer.

Me interes pritet të jetë dëshmia më 3 tetor, e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në hetim nga SPAK për koncensionin e sterilizimit, por njëkohësisht me masë "arresti me burg" për një tjetër hetim ndaj tij, atë të abuzimit me fondet e BE kur drejtonte agjencinë SASPAC.

Rrjepaj dyshohet se ka kryer veprat penale "Falsifikim i dokumenteve" dhe "Shpërdorimi i detyrës". Bashkë me të u arrestua edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili akuzohet për "Mashtrim".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë