Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit “Metamorfoza” vitin e shkuar, i akuzuar për disa vepra penale, i cili kërkoi pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në ‘Sky’ dhe ‘EncroChat’.
Gjoka, i shpallur investitor strategjik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese pas refuzimit të Gjykatës së Lartë për t’i rrëzuar si prova përgjimet telefonike dhe hequr masën e sigurisë të vendosur nga GJKKO.
Në thelbin e ankimimit të bërë nga biznesmeni i arrestuar nga operacioni “Metamorfoza” ishte pretendimi i tij për antikushtetutshmëri të përdorimit nga SPAK si prova të komunikimeve në platformën “Sky ECC”.
Gjoka, i arrestuar bashkë me të tjerët për përfshirjen në organizatë kriminale dhe drejtim të saj, kryesisht me aktivitet në Shkodër dhe Tiranë, kërkoi shfuqizimin e vendimit të GJKKO, të datës 23 dhe 29 korrik 2023, që e linte atë dhe të tjerët në paraburgim me akuzat përkatëse.
Gjithashtu edhe vendimin e lënë në fuqi nga Apeli i GJKKO më 31 gusht të vitit të kaluar dhe Gjykata e Lartë më 22 dhjetor 2023.
Më 17 tetor të këtij viti, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me seli në Strasburg, pranoi si të ligjshme përgjimet e përftuara nga zbërthimi i aplikacionit “EncroChat-Sky ECC” nga autoritetet franko-belge, që në pjesën më të madhe të rasteve janë përdorur nga bota e krimit, përfshirë dhe shtetas shqiptarë.
Më 8 Nëntor SPAK bëri me dije se kaloi për gjykim dosjen ndaj biznesmenit Gjoka dhe 6 të tjerëve.
Deskriptimi i bisedave nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vënia në dispozicion të pjesës për Shqipërinë, ka çuar në arrestimin e dhjetëra personave, ndërsa SPAK ka ngritur akuza ndaj tyre.
Përveç kësaj, bisedat kanë hedhur dritë mbi implikime në ngjarje kriminale të personave të ndryshëm, por kanë zbardhur gjithashtu edhe lidhjet mes krimit, politikës dhe disa biznesmenëve.
Pëllumb Gjoka u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, ku në pranga përfunduan efektivë policie, prokurorë e ish-prokurorë.
Dosja “Metamorfoza” zbuloi jo vetëm grupe kriminale në Shqipëri, por edhe zyrtarë policie të përfshirë, si ish-shefi i Operacionales në Shkodër, Oltion Bistri apo ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, të cilët dalin në përgjimet e “Sky ECC”.
“Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.Shfuqizimi ishkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm”, – thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.