Drejtësia

Kërkoi heqjen e ‘arrestit shtëpiak’, GJKKO shtyn seancën për Sali Berishën

Gazeta Si- Ka dështuar sërish këtë të martë seanca ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në Gjykatën e Posaçme për heqjen e masës së sigurisë "arrest shtëpie".

Seanca e paracaktuar nuk mundi të nisë, për shkak se gjyqtarja Irena Gjoka ishte në një proces tjetër gjyqësor.

Për shkak të përfundimit të orarit zyrtar të punës së gjykatë, avokatit iu komunikua nga sekretaria gjyqësore se në ditët në vijim do të njoftohen për datën dhe orën e seancës së radhës.

Berisha ndodhet në "arrest shtëpie" që prej 30 dhjetorit të vitit 2023, pasi është i dyshuar për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv "Partizani" në Tiranë.

Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese.

Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në "arrest shtëpie".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë