Lajme

Kërkohej prej 30 vjetësh për vrasje, ekstradohet shqiptari-amerikani

Interpol Tirana në bashkëpunim me autoritetet e Shteteve të Bashkuara Amerikane, ka ekstraduar një person të shpallur në kërkim nga policia shqiptare që prej vitit 1989. Bëhet fjalë për shtetasin shqiptaro-amerikan Selim Struga, 54 vjeç, lindur në Tiranë.

Ky i fundit është dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 15 vjet burg për veprën penale “vrasje me dashje”.

Ngjarja ka ndodhur para thuajse 30 vjetësh, në datë 21.06.1989, rreth orës 17:00, ku në vendin e quajtur “Varri i Bamit”, pranë lokal “10 Korrikut”, Tiranë, ky shtetas ka vrarë me thikë shtetasin me iniciale G. C.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar nga Shqipëria nëpërmjet kufirit me ish-Jugosllavinë. Pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet e Shteteve të Bashkuara, në vitin 2007 subjekti është arritur që të lokalizohet në SHBA dhe pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, ai është arrestuar në këtë vend me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë në vitin 2011.

Interpol Tirana në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Sigurisë Diplomatike (DSS) të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ka finalizuar me sukses ekstradimin drejt Shqipërisë në datë 30.12.2018, duke e vënë këtë subjekt në dispozicion të organeve të drejtësisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë