Rend dhe Ligj

Kërcënuan dhe dhunuan policët, 3 të arrestuar në Fier

Policia e Fierit ka vënë në pranga tre shtetas, pasi duke udhëtuar me automjetet e tyre nuk iu bindën policëve, dhe jo vetëm, por i kërcënuan dhe i dhunuan.

Rezultoi se një prej tyre, 32-vjeçari A. M, ishte në gjendje të dehur teksa drejtonte makinën.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë, për veprat penale ‘Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik’ dhe ‘Kanosja për shkak të detyrës’, shtetasit A. M., 32 vjeç, F. M., 21 vjeç dhe T. Q., 47 vjeç, banues në Fier, pasi duke drejtuar automjetet tip ‘Porsche’ dhe ‘Ferrari’, nuk i janë bindur punonjësve të Policisë së Rendit publik duke i kundërshtuar me dhunë dhe i kanë kanosur për shkak të detyrës. Pas testit të alkoolit rezultoi se shtetasi A. M. drejtonte mjetin në gjendje të dehur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë janë arrestuar dhe dy të tjerë, një 50-vjeçar banues në fshatin Tojkan për kultivim droge, si dhe një 18-vjeçar në Mallakastër pasi drejtonte automjetin pa leje drejtimi.

Gjithashtu është kapur edhe shtetasi i shpallur në kërkim E. (B). M., 27 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, e kryer në bashkëpunim.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë