Gazeta Si – Një krim në familje për shkak të një konflikti është parandaluar në fshatin Rubjek të Maminasit në Durrës, ku një 35-vjeçar është arrestuar, pasi ushtroi dhunë ndaj babit dhe e kërcënoi atë se do e vriste me sëpatë dhe thikë.
Gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e 35-vjeçarit Eduart Hoxha, ka kundërshtuar me dhunë shërbimet e policisë lokale dhe është mbyllur në banesë, bashkë me mjetet prerëse.
Pas disa orësh negociata, RENEA ndërhyri me forcë në banesë duke neutralizuar 35-vjeçarin Eduart Hoxha. Atij iu sekuestrua sëpata dhe thika me të cilat kërcënonte babain e tij.
Në një deklartë për mediat, babai i Eduardit ka treguar se si ka ndodhur ngjarja dhe kërkon që ta lirojnë, sepse sipas tij nuk ka nevojë të qëndrojë në burg, por duhet të kurohet. Ai tha për mediat se i biri që jetonte në Itali ishte i papunë prej dy vitesh dhe ka borxhe për të larë.
“Nga Shijaku e kanë çuar në Durrës, Shijaku është ndryshe, nuk e di ai ka nevojë për kurim, jo për ta mbajtur të izoluar, të sforcuar. Ai ishte duke pirë kafe jashtë dhe thikën e përdornim për bukë, kurse sëpatën e pata unë për ta nxjerrë përjashtë. Në atë moment ma kapi nga dora, se çun i ri. Është alamet çuni, gjynah ta mbajnë brenda, po çfarë të bësh. Unë them ta nxjerrin dhe të kurohet, të shkojë tek psikologia. Ai nuk ka bërë asnjë gjë dhe e ka këtu në tru…. Ka 5-6 vjet që nuk ka ardhur fare, ka qenë në Itali djali. Ka dy vite që nuk punon në Itali dhe ka marrë borxh disa lekë. Pati sjellë nja 6 mijë euro dhe i çova unë në bankë. Mora disa në gusht dhe i veçova, mora dhe disa tani, duhet të lajmë shtëpinë, duhet të paguajë disa lekë, se të fal ai tjetri, të fal ditët, por jo lekët”, u shpreh 73-vjeçari.
Për ngjarjen reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili përgëzoi forcat RENEA për ndërhyrjen në kohë.
“Parandalimi apo reagimi në kohë nga Policia e Shtetit në rastet e dhunës në familje, dhunës me bazë gjinore apo ndaj të miturve, janë detyra të cilat duhet të ndiqen me vëmendje maksimale në të gjithë territorin. Përgëzoj forcat e RENEA të cilët ndërhynë në kohë në rastin kërcënimit dhe dhunimit të një të moshuari, duke arrestuar dhunuesin”, shprehet ministri Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



