Rend dhe Ligj

Kërcënoi kreun e Burgjeve, dënohet me 10 muaj burg

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 10 muaj burg Muharrem Zelijën, pas kërcënimit me jetë të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.

Por, Zelija do të qëndrojë në burg 6.4 muaj për shkak se përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe vendimi është dhënë nga gjyqtari Artan Gjermeni. Zelija u akuzua se kërcënoi me SMS kreun e burgjeve, Agim Ismaili.

Ai u arrestua rreth dy muaj pas kërcënimit për kanosje dhe keqpërdorim të thirrjeve telefonike. Kërcënimi është bërë me telefon në muajin nëntor 2019.

Muharrem Zilija dyshohet se është shtyrë nga një grup kriminal për kërcënimin e Agim Ismailit. I arrestuari rezultonte i dënuar më parë për shpërndarje droge në Tiranë. Autori mësohet se nuk ka pasur asnjë konflikt me Ismailin, pasi dënimin në burg e ka kryer para se ky i fundit të bëhej drejtor i burgjeve.

Kërcënimi me jetë dyshohet se ka ardhur si reagim i personave të dënuar për masat e rrepta që po aplikohen në sistemin e burgjeve shqiptare, sistemi “41 bis”. Prej disa muajsh, Agim Ismaili ka vënë në zbatim në dy burgje 313 Tiranë dhe në Peqin, rregullat e izolimit që parashikon ligji “41 bis”.

Këto rregulla janë kundërshtuar shpeshherë nga të dënuarit për vepra të rënda kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë