Kosova

Kërcënimi me luftë nga Serbia, Kosova: Të hyjmë në NATO

Vetëm tre ditë pasi Kosova u bë pjese e Mini-Shengenit Ballkanik, pas më shumë se një viti rezistence, Serbia kërcënon me shpërthimin e një “konflikti të armatosur” nëse zgjidhja nuk vjen përmes dialogut.

Edhe pse zakonisht e krahasonte Kosovën me Krimënë, Aleksandër Vuçiç, zgjodhi këtë herë Nagorno Karabakun, duke thënë se në Kosova mund të përballet me një konflikt të dhunshëm ashtu si rajoni i kontestuar nga Azerbaxhani dhe Armenia, nëse përpjekjet për arritjen e paqes dështojnë.

“Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por nëse dikush e shkrin, mund të shpërthejë një katastrofe të vërtetë”, tha të enjten Vuçic, në një deklaratë që ngjalli reagime të ashpra në Kosovë. Heqja e kësaj paralele duket se ka alarmuar Prishtinën zyrtare, e cila ka sinjalizuar se do të nisë sa më parë punën për anëtarësimin në NATO.

Deklaratat kanë shkaktuar një reagim të ashpër nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila tha se Prishtina duhet të fillojë anëtarësimin në NATO i cili duhet të cilësohet përparësi dhe pastaj të përqendrohet tek dialogu me Serbinë.

“Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë. Reagimi dhe krahasimet e qëllimshme të Vuçiçit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”, thotë ministrja. “Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë, në vitin 1999.”

Reagimi i Ministrisë së Jashtme vjen pas një deklarate të ashpër të ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se pret përgjigjen e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s ndaj kërcënimit me “luftë” të Kosovës.

Por zyrtarët e NATO-s nuk pranuan të komentojnë deklaratat e presidentit Vuçiç duke thënë thjesht se aleanca Veri-Atlantike mbetet plotësisht e përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje për mediat në Kosovë.

Ashtu si NATO, as BE, SHBA, apo vendet e Quntit nuk pranuan të komentojnë deklaratat e presidentit Vuçiç, të cila vijnë ndërkohë që ish-udhëheqësit kryesore të UCK-së, përfshirë edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, ndodhen në bankën e të akuzuarve në Hagë për krime lufte.

Kryeministri Avdullah Hoti, i cili është përballur me thirrje të shumta të politikanëve në Kosovë për t’u tërhequr nga dialogu me Serbinë, tha se deklaratat e presidentit të Serbisë nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Por Beogradi zyrtar jo vetëm që nuk është tërhequr nga këto deklarata, por edhe e ka cilësuar si të pakuptimtë reagimin e Kosovës.

Zyra e Qeverisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi si “histerike” reagimet e autoriteteve të Kosovës ndaj deklaratave të presidentit Vuçic.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviç, tha se mesazhi kryesor i Vuçicit sot ka qenë se, për Serbinë dhe popullin serb, “paqja është më e rëndësishmja”.

“Nëse përfaqësuesit shqiptarë në Prishtinë janë të interesuar për paqe, ata duhet ta mirëpresin dhe mbështesin një angazhim të tillë nga Beogradi”, tha Petkoviç. “Serbia dhe presidenti i saj konfirmojnë vazhdimisht, edhe me fjalë, edhe me vepra, se ne jemi garantuesi më i fortë i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe këtë e kuptojnë dhe e mbështesin të gjithë faktorët relevantë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Petkoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë