Kënga “Si n’andërr” interpretuar nga Rezarta Smaja, kompozuar nga Florent Boshnjaku dhe me tekst të Arjola Zadrimës u shpall fituese e edicionit të 6-të të festivalit “Luleborë”, mbajtur në teatrin “Migjeni” të Shkodrës.
Vendi i dytë shkoi për Savjana Vjerdha dhe Ademir Fresku me këngën “S’ka ma bukur”, ndërsa në vend të tretë u rendit Jozefina Simoni me këngën “Pa adresë”.
Ndërkohë, çmimi i karrierës shkoi për artisten shkodrane, Justina Aliaj.
Çmimin e veçantë “Simon Gjoni” si interpretuesi më i mirë e fitoi këngëtari Laorjan Ejlli.
Në këtë event që u zhvillua për dy net me radhë, u prezantuan 16 këngë të reja që u përzgjodhën mes 34 kompozimeve. Të gjithë artistët pjesëmarrës interpretuan këngët live dhe u shoqëruan nga orkestra e dirigjuar nga Jetmir Barbullushi, Glid Kraja dhe Ilir Zoga.
Festivali u drejtua nga gazetari Enkel Demi e këngëtarja shkodrane Rosela Gjylbegu, e cila pasuroi mbrëmjen me interpretimin e dy këngëve të vjetra shkodrane, ndërsa juria kryesohej nga maestro Zhani Ciko.
Udhëheqësit artistik të festivalit ishin sërish dy emra të njohur kompozitorësh shkodranë, Shpëtim Saraçi e Markelian Kapedani.
Festivali i dedikohej këngës qytetare shkodrane, një prej traditave të vyera të pasurisë tonë shpirtërore, ku artistët më në zë të këtij qyteti dhe muzikës shqiptare në përgjithësi, arritën të sjellin historinë.
Kjo përvojë që vjen në edicionin e saj të gjashtë solli edhe njëherë magjinë e kahershme të muzikës dhe trashëgimisë.
Festivali ishte organizim i Teatrit Migjeni me mbështetje financiare nga Bashkia e Shkodrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



