Nga Fatjon Rupi – Futbolli është një sport magjik dhe popullor në mbarë botën. Një sport që i bën për vete të gjithë, shpesh edhe yjet e muzikës, që i kanë kushtuar shumë e shumë këngë. Edhe në Shqipëri futbollit i janë dedikuar këngë, që nga “Gol” i Ema Qazimit e për të vazhduar më pas me këngë për skuadra të veçanta.
Sapo ka dalë edhe kënga e fundit e Sidrit Bejlerit për futbollin. Për kë? E për kë tjetër veç Vllaznisë, që këtë sezon ka ndezur endrrën e titullit kampion në Shkodër. Në një rrëfim për Gazeta Si, këngëtari shkodran tregon si lindi ideja për këtë këngë, pse ka zgjedhur një version rock dhe kuptimin e tekstit të shkruar nga vetë Bejleri.
Një fiksim i hershëm
“Në përgjithësi, bëj melodinë të parën për një këngë, pastaj vë tekstin, sepse një melodie mund t’i vësh disa tekste, nganjëherë dhe e kundërta. Këtë radhë Shpëtim Saraçi më tha, ‘në këtë rast je i detyruar të bësh tekstin të parin’. Dhe u ula të bëj tekstin, u bë një çarçaf i madh, nuk dija çfarë të heq dhe çfarë të mbaj”, – tregon fillimisht Bejleri.
Ai sqaron se e ka konceptuar si një këngë për Vllazninë, ndërsa opinioni publik, përfshirë edhe portalet, po e etiketojnë si një himn për ekipin: “Për Vllaznine janë shkruar edhe këngë të tjera, tifozët zgjedhin vetë cilën do të këndojnë. Mirë është të këndohen të gjitha, si te klubet e mëdha që kanë disa këngë. Në fund, ato që mbeten, kanë qenë më të dashurat”.
Si lindi ideja? “Kam pasur dikur një grup rock, “Black moon”. Në 1998-ën Vllaznia ka dalë kampione, doli edhe në 2001-shin. Desha të bëj në 1998-ën një këngë me grupin, një “heavy” të pastër. Nuk u bë në atë kohë, u la pas dore. Më merr Alban Xhaferi, sponsori i Vllaznisë, njifemi 20-30 vjet përpara, dhe më thotë: ‘Sid, nuk mendon se ka ardhur kohë me ba një këngë për Vllazninë?’ Vllaznia po ecte shumë mirë. I thashë: ‘e kam pasur fiksim të hershëm, po e mendoj’.
Isha pak skeptik në fillim, sepse sa më shumë rritesh, mendon ‘mos po gaboj?’. Kisha qejf të bëj diçka të mirë, sepse nuk mund të bësh diçka që nuk bind, për më tepër kur të etiketojne si një ndër emrat përfaqësues të qytetit. Pra, më mirë mos e bëj fare sesa diçka që nuk të bind as ty vetë.
Kam bërë detyrën ndaj qytetit dhe ekipit të zemrës me dëshirën më të madhe, me shumë kënaqësi. Ishte një dhuratë për qytetin dhe sidomos për tifozërinë.
Për Shkodrën sot, dalja e Vllaznisë kampione do të ishte një suport i madh nga ana emocionale, gjë të cilën ai qytet e meriton absolutisht. Një qytet që ka prodhur në të gjitha fushat. I ka dhënë gjithmonë futbollit, edhe sot ka lojtarë që luajnë në ekipe të tjera”.
Përmbajtja e tekstit, binomi tifozë-Vllazni
“Me teksin kam vuajtur shumë, – shprehet Bejleri, – sepse në aq pak rreshta desha të shpreh atë që mendoj unë se është binomi mes tifozerisë dhe Vllaznisë. Bëhet fjalë për lidhjen mes Vllaznisë dhe tifozërisë, mes vetë Shkodrës dhe ekipit. Pra, një vëllazërim mes mijëra vetëve që zgjat prej 102 vitesh, që ka si epiqendër ekipin dhe jo vetëm. S’ma do mendja që të ketë ekip, në Shqipëri të paktën, me emër më të bukur. Është kuptimplotë.
E kam ndjekur montazhin e klipit dhe pashë që nuk mjaftonin pamjet filmike nga arkivat. Kisha në arkivën time foto të Vllaznisë kur ka dalë kampione, i mora dhe i thashë Edi Grishajt se duheshin futur patjetër edhe ato foto. Duheshin bërë pjesë sa më tepër nga ata që kanë kontribuuar ndër vite”.
Po si është pritur kënga e re nga tifozët shkodranë e më gjerë? “Me aq sa më kanë thënë, ka ecur shume mirë. Duhet pasur parasysh se nuk është një këngë dashnie, si ato që kam bërë unë, që kanë pasur sukses. Eshtë shumë specifike dhe nuk mund t’i japë çdokujt emocionin që ndjejnë shkodranët. Komentet kanë qenë shumë pozitive”.
Pse një variant rok?
“Kisha dëshirë të bëja diçka të fortë, luftarake, që të karikonte emocionalisht lojtarët dhe tifozët. Desha te bej diçka të fortë, të thjeshtë dhe melodioze, që të ngelej menjëherë në mendje. Mund të bëhej edhe një këngë popullore, ose një turbo folk, ose një folk-rok, por kështu erdhi emocioni dhe kështu u bë. Ritmi i rokut është i fortë dhe sidomos në stadium të çon peshë”.
Vllaznia e fushës dhe titulli
Këngëtari flet pastaj edhe për skuadrën aktuale dhe synimin e titullit: “Kanë nja 4-5 ndeshje, që janë më të qetë sesa duhet, dhe janë pak si me “frena dore”. Ato ndeshjet e para ishin shumë të bukur për t’u parë, çfarë futbolli! Futboll total, presing tipik gjerman. Në fakt, ekipi nuk ka yje, por luan në grup, duke formuar një Yll të madh me shumë cepa. Ndoshta tashmë ua kuptuan skemën dhe po i bllokojnë. Ndoshta nuk kanë edhe stol. Ose duke qenë që nga java e parë në vendin e pare, janë objektivi i të gjitha ekipeve që t’u marrin pikë.
Ndoshta sot Vllaznisë i mungon lideri. Vllaznia ka pasur gjithmonë liderë, ka qenë Zan Rragami, Sabah Bizi, e me radhë për të ardhur te Vior Sinani e Edi Martini. Më ka treguar njëherë Astrit Hafizi që nuk dilnin në Shkodër një javë, kur humbnin. Sepse sedra dhe përkushtimi ndaj qytetit dhe tifozërisë ishte në nivel maksimal. Luhej për fanellë, ishin kohëra të tjera…
Më dhemb shumë Vllaznia, çdo shkodrani i dhemb Vllaznia. Nëse shkon në Europë, është sërish sukses. Tani edhe ekipet e tjera luajnë më fort, ndoshta edhe këta janë lodhur. Sidoqoftë, edhe me rezultatet e fundit kemi vazhduar në vend të parë, e kupton çfarë shansi kemi pasur. Megjithatë, besoj se ky ekip nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit”, – e mbyll këngëtari Sidrit Bejleri, tifoz i Vllaznisë në të mirë e në të keq.
Teksti i këngës “Vllazni”
Porsi gurë të Rozafës së lashtë,
ti Vllazni me vllazën bashkë,
gjyshat tonë e baballarët,
brez mbas brezit ty të kanë dashtë.
Ti je djepi, je futbolli
na ndez zemrën, krahanorin
e tanë botën të na falin
për Vllazni këngën s’e ndalim
Refreni
Vllazni, Vllazni,je dashnia jonë
ne me ty, ne me ty kuqeblu gjithmonë
Emri jot është histori,
e kena thirr na qysh fëmijë,
do ta thërrasim prapë të tanë,
sa të ketë Shkodër dhe shkodranë.
Ti je kuq si zemrat tona
edhe blu si qiell’ i Zotit
e me ty do të jemi gjithmonë,
si kur humb dhe kur fiton
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.