Infermierët shqiptarë nuk i çon vetëm rroga në Gjermani, Angli e Francë. Ata kërkojnë trajtim me dinjitet të punës së tyre dhe siguri për vendin e punës. Deklaratat vijnë nga Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, pikërisht këtë 12 maj, në Ditën Ndërkombëtare e Infermierisë.
Në një kohë të vështirë edhe për vendin tonë si për të gjithë botën, numri i infermierëve ka ardhur duke u ulur. Në të gjithë Shqipërinë mund të jenë rreth 15 mijë infermierë të punësuar në spitale, qendra shëndetësore e të tjera dhe kjo shifër ka ndryshuar nga viti në vit për shkak të lëvizjeve të shumta si pasojë e largimeve që janë bërë.
“Gjatë periudhës së pandemisë janë larguar rreth 110 deri në 120 infermierë, për shkak të aplikimeve që i kishin bërë në kompani të ndryshme dhe ata plotësuan afatet kohore për t’u punësuar jashtë vendin dhe kryesisht në Gjermani”, thotë për Gazetën “Si” Elson Jaçaj nga Shoqata e Infermierëve.
Sa nevojë kemi për infermierë
“Çuditërisht të gjithë vendet kanë nevojë për stafin infermieror ku së fundmi jo vetëm Gjermania dhe Italia por dhe Anglia e Franca po shprehin kërkesat për infermierët nga Shqipëria. Ndërkohë, sipas të dhënave në vendin tonë edhe pse nevoja është e madhe, punësimi është nën nivelet mesatare pra në ulje dhe shumë pavione kanë mungesë stafi”, thotë Jaçaj. Sipas Shoqatës kjo vjen “për shkak të largimeve të shumta jashtë vendit dhe sigurisht daljes në pension të një pjese të stafit, por që fatkeqësisht nuk punësohen aq sa kanë nevojë spitalet apo qendrat shëndetësore”. Madje edhe në spitalet e Covid-19 u punësuan personel me kontrata afatshkurtra.
Pse ikin infermierët
Duke u bazuar tek histori personale të raportuara në media dhe në shifra ajo çfarë po i bën infermierët të largohen nga vendi ynë nuk është vetëm paga e ulët që marrin këtu për të përballuar jetesën por edhe siguria në punë. “Pra, stafi nuk është i sigurt kur punon si nga ana profesionale ku kushtet e punës vazhdojnë të jenë të papërshtatshme, por dhe dhuna verbale apo fizike ndaj tyre. Ky fenomen nuk mungoi as në kohë pandemie”, shpjegon Jaçaj.
Sipas shoqatës, gjatë pandemisë dhuna ndaj disa infermiereve ka qenë në disa qytete. E njëjta situatë ndodhi edhe para pak ditësh në Korçë ku u dhunuan dy infermierë dhe asnjë masë nuk u mor ndaj personave që dhunuan personelin.
“Këta infermierë kontaktuan Shoqatën dhe na thanë se u bë një seancë gjyqësore sa për të kaluar ngjarjen dhe autorët i nxorën të pafajshëm dhe asnjë masë nuk u mor ndaj tyre”, shprehet Jaçaj.
Sipas Shoqatës së Infermierëve, dhuna verbale dhe presioni në forma të ndryshme ndodh dhe nga administrata, “ku nëpër spitale janë vënë administratorë apo koordinatorë që duhet të jenë për marrëdhënien me pacientët dhe familjarët, por që më shumë u bëjnë presion personelit që punon përmes kontrolleve të ndryshme pa kriter apo masave të ndryshme administrative të pavërteta”.
Kërkesat e infermierëve
Një kërkesë e infermierëve e artikuluar nga Shoqata është ajo që ka të bëjë me atë që punonjësit e shëndetësisë duan të ndihen dhe të jenë të vlerësuar nga instuticionet si ministria, qeveria apo dhe nga spitalet ku punojnë. “Infermieria është instuticioni më i politizuar në Shqipëri dhe vetëm në kohë fushate u premtohen gjëra dhe më pas nuk realizohen pa lënë dhe pa përmendur punësimet politike që ndodhin rëndomtë. Vlerësimi profesional e as rritja profesionale nuk arrihet nga instuticionet ku punojnë edhe pse infermierëve u kërkohet rritje profesionale e vazhdueshme. Përveç kësaj nuk mund të lëmë pa përmendur se infermierët i paguajnë vetë çdo kosto ndërkohë që me ligj duhet të financohen nga vetë instuticionet ku punojnë”, thotë Jaçaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.