Menaxhim

Kemi korrupsionin më të lartë në rajon: Si u kthye në ‘kapje shteti’

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria është vendi më vulnerabël ndaj korrupsionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Një raport i organizatës për Zhvillim dhe Integritet në Europën Juglindore, SELDI, tregon se 80% e popullsisë së Shqipërisë është e prirur të japë apo të marrë rryshfet.

52% e shqiptarëve të anketuar thonë se kanë ndjerë presion nga një zyrtar për të dhënë rryshfet dhe 40% janë ata që pranojnë se kanë korruptuar një zyrtar. Këto janë normat më të larta të këtyre treguesve në rajon, ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Kosova është vendi më “imun” ndaj korrupsionit. 

Po ashtu shqiptarët janë edhe më pak optimistët në rajon, se korrupsioni do të mund të reduktohet. Vetëm 20% e tyre besojnë se kjo do të ndodhë dhe ka rënë me 6% nga një vit më parë.  

Në shifra, raporti tregon se Shqipëria ka numrin më të lartë transaksioneve të rryshfetit, pas Serbisë, respektivisht 859.340 me 1.549.343.

Nga 2021-shi, matja e parafundit e raportit, norma e rryshfetit në Shqipëri është ulur, nga rreth 45% në 40%, por mbetet më e larta në rajon. Ajo e vitit 2021 ishte norma më e lartë në 10 vitet e fundit.

SELDI thekson se korrupsioni është “elefanti në dhomën e qeverisë” dhe se ai nuk është më vetëm në shërbimet publike, por është shndërruar në fenomen të kapjes së shtetit.

Ky i fundit është një “mekanizëm nëpërmjet të cilit hartimi, miratimi dhe zbatimi i rregullave dhe rregulloreve të qeverisë janë të shtrembëruara në favor të një numri të vogël të individëve në shpenzimet e shoqërisë dhe biznesit në përgjithësi. Ai bazohet në disa shtylla kryesore, duke përfshirë krijimin e marrëdhënieve klienteliste mes politikanëve dhe biznesit, ndërhyrja e politikanëve në procedurat e gjykatës, dhënien e kontratave dhe tendera publikë pa konkurrencë, ligje të bëra me porosi, etj.

Një strategji kundër korrupsionit u miratua në vitin 2015  në Shqipëri me një periudhë zbatimi pesëvjeçare. Në një zotim për të Drejtat e Njeriut Shqipëria ndërmerr një iniciativë të re për periudhën 2024-2030. Në në fund të vitit 2023, Ministria e Drejtësisë përditësoi dhe publikoi Planin e Integritetit për periudhën e 2024-2027. Përveç kësaj, në janar 2024, Shqipëria krijoi një ministri shteti për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit.

Kështu, portofoli antikorrupsion në ekzekutiv do të ndahet ndërmjet ministrisë së re dhe Ministrisë së Drejtësisë si Koordinator Kombëtar Kundër Korrupsionit, duke u fokusuar në shërbimin civil dhe mbikëqyrjen e implementimit të strategjisë anti-korrupsion.   

Sipas indeksit të matur nga Transparency.org, Shqipëria ka një pikëzim prej 37 pikësh nga 100, ku pikët më të ulëta tregojnë një perceptim më të lartë të korrupsionit. Për vitin 2023, Shqipëria mban vendin e 98 nga 180 vende në analizë.

“Vendimi për krijimin e një ministrie të re të ngarkuar me aktivitetet kundër korrupsionit vjen me pritshmëritë për mirëfunksionimin e mekanizmave të integrimit. Megjithatë, kjo nuk mund të arrihet nëse parlamenti nuk ka autonomi më të fortë dhe organizatat e shoqërisë civile dhe mediat mund të kryejnë rolin e tyre mbikëqyrës pa pengesa nga autoritetet”, thekson Transparency.org.

Matjet e Barometrit të Sigurisë 2024, treguan një rritje të perceptimit publik se korrupsioni është kërcënimi më serioz për sigurinë e Shqipërisë.

Në studim thuhet se nga viti në vit është rritur numri i qytetarëve që e nënvizojnë korrupsionin si kërcënimin më serioz të sigurisë. Në vitin 2024 është 45 për qind, në vitin 2022 ishte 39 për qind, ndërsa në vitin 2020 ishte 37 për qind. Këtë vit, afro 22.5 për qind e të anketuarve e cilësojnë korrupsionin si kërcënimin e dytë më të madh për sigurinë.

Pranverën e këtij viti, pas 29 vitesh Shqipëria doli nga lista e vendeve në monitorim nga Këshilli i Evropës, me vendim unanim nga vendet anëtare, por KE i bëri thirrje autoriteteve të vendit që të bëjnë më shumë në luftën kundër korrupsionit apo lirinë e medias.

Në të njëjtin muaj, Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor, theksoi se Shqipëria është e ‘mbytur’ në korrupsion në çdo nivel të qeverisjes dhe gjyqësorit.  

Raporti i Transparency International për vitin 2023, theksoi se perceptimi mbi korrupsionin, interesat e biznesit të politikëbërësve kryesorë, ligjet për zbulimin financiar dhe konfliktin e interesit, dhe efikasitetin e nismave kundër korrupsionit vlerëzohet me 3 pikë nga 7.

Sipas anketës së fundit nga Barometri i Ballkanit, 7% e bizneseve në Shqipëri kanë pohuar se kanë kryer pagesa korruptive për të ndryshuar legjislacionin në favor të tyre. Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë nivel më të lartë të korrupsionit për ndikimin ligjor me nga 13% secila. Nga ana tjetër, Kosova paraqitet si vendi me nivelin më të ulët në rajon të kapjes ligjore, pasi vetëm 1% e bizneseve pohojnë se kryejnë këtë formë të korrupsionit. Gjithashtu nivele kishin më të ulëta kishin edhe Bosnja dhe Mali i Zi, ku 3% të bizneseve pohojnë se paguajnë për të bërë ligje dhe rregulla në shërbim të tyre.

Një raport i Transparency International, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim – (IDM) që përfshinte shqyrtime nga 2008-2020, evidentoi se rastet e shqyrtuara të korrupsionit të nivelit të lartë në Shqipëri japin përshtypjen se ka një lidhje të fortë ndërmjet zyrtarëve publikë, sektorit privat dhe gjyqësorit, e cila është rritur në mënyrë të vazhdueshme duke shfrytëzuar pronën publike dhe sigurimin e të mirave publike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë