Gazeta Si – Tjetër paraqitje zhgënjyese e Katarit, ekipit pritës të Botërorit. Pas Ekuadorit, sot është mundur edhe nga Senegali 1-3 dhe thuajse është eliminuar. Fitorja e parë për kampionët e Afrikës. Ndeshja u vendos nga golat e Dia në fund të pjesës së parë dhe Diedhiou e Dieng në të dytën.
I kotë goli i shënuar nga Muntari në minutën e 78-të. Në ndeshjen e fundit në grup Senegali do ndeshet me Ekuadorin, kurse Katari me Holandën.
Senegali e dominoi ndeshjen dhe iu afrua golit menjëherë. Lojtarët e Katarit dhe stafi prorestuan për një penallti të mohuar, pas një kontakti në zonë mes Afif dhe Sarr. Arbitri spanjoll Lahoz vazhdoi lojën.
Në minutën e 41-të, pas një gabimi të pafalshëm të Khoukhi, Dia kaloi Senegalin në avantazh. Në të dytën afrikanët dyfishuan, pas një goditjeje me kokë të Diedhiou. Katari u përpoq të reagonte, por dy herë Mendi ishte vendimtar. Portieri i Çelsit bëri një ndërhyrje shpëtimtare ndaj Mohamad.
Katari gjeti golin e parë në këtë event në të 78-ën, kur Muntari goditi saktë me kokë, pas një krosi nga e djathta të Mohamad. Por vetëm kaq, sepse Pape Sarr shërbeu saktë për Dieng, që shënoi golin e tretë. Katari thuajse jashtë, ndërsa Senegali është plotësisht në garë për kualifikimin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



