Gazeta Si – Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, që gjatë procesit të rinumërimit, të llogariten si vota të vlefshme për kandidatët edhe rastet kur x ose + është vendosur jashtë kuadratit në fletë, por përbri tij.
Më herët këto fletë votimi, ku x ose + janë shënuar jashtë fletës së votimit, janë cilësuar si të pavlefshme nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
“Ne i qëndrojmë mendimit vlerësimit objektiv sa i përket kandidatëve”, tha Ledio Braho, anëtar i KAS-it. Ai shtoi se elementët që kërkoi Partia Socialiste, konsiderohen si jo normalë në këtë moment të procesit.
Sipas vendimit të KAS, kur kryqi ose plusi i vendosur në kolonën e një subjekti nuk është vendosur brenda kuadratit të emrit të kandidatit, vota konsiderohet e vlefshme vetëm për subjektin zgjedhor, pra partinë ose koalicionin ku bën pjesë.
Ishte selia rozë iu drejtua sot me një shkresë KAS duke pretenduar se në këtë mënyrë pasqyrohet qartë vullneti i zgjedhësve.
Megjithatë, KAS nuk e pranoi këtë interpretim, duke i qëndruar rregullave të përcaktuara për vlefshmërinë formale të votës.
Sakaq, në ambientet e Pallatit të Sportit “Fahrie Hoti”, vijon rinumërimi i votave për Qarkun e Tiranës.
Sipas të dhënave nga KQZ-ja rezulton se deri më tani janë numëruar 288 qendra votimi. Numri më i madh i votave të hequra rezulton për Partinë Demokratike me 148 të tilla. Më pas vjen Partia Socialiste me 131 vota.
Nga rinumërimi i votave që po bëhet në disa qarqe të vendit, nuk ka pasur ndryshime shumë thelbësore për partitë politike, por vihet re se në Tiranë, PS dhe PD kanë pësuar rënie me disa dhjetëra vota.
Zgjedhjet e 11 majit u fituan thellë nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila arriti të marrë 83 mandate deputetësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.