Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar me shumicë votash ankesën e Partisë Demokratike për shpalljen të pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit në qarqet Berat dhe Vlorë, si dhe për përsëritjen e procesit zgjedhor në Vlorë.
Me këtë vendim, KAS e konsideron të përfunduar shqyrtimin për këto dy qarqe, duke iu bashkuar listës së qarqeve të tjera si Kukësi, Korça, Lezha dhe Gjirokastra, për të cilat po ashtu janë rrëzuar ankimimet e depozituara nga PD.
Gjatë shqyrtimit të ankesave, KAS theksoi nevojën për paraqitje të provave konkrete, duke deklaruar se në mungesë të tyre nuk mund të vijojë një proces i gjatë dhe pa përmbajtje, të cilin e cilësuan si një “proces pa kuptim”.
Në seancën e sotme u hap edhe një kuti me vota të ardhura nga Greqia për qarkun e Beratit, por pa sjellë ndryshim të qëndrimit të KAS.
Deri më tani janë gjashtë qarqe për të cilat KAS ka përmbyllur shqyrtimin, ndërsa PD ka të drejtën të apelojë në Kolegjin Zgjedhor. Ndërkohë, gjashtë qarqe të tjera mbeten ende në proces. Për Tiranën, Fierin, Durrësin dhe Dibrën është marrë vendim për rinumërim të votave, ndërsa Elbasani dhe Shkodra janë ende në fazën e shqyrtimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.