Menaxhim

Karta e identitetit, tani mund të merret brenda 3 ditëve

Nga Gazeta ‘SI’- Do të mjaftojnë vetëm 3 ditë për t’u pajisur me një kartë identiteti dhe jo më 14, ka njoftuar ministria e Brendshme në vend.

Kompania shtetërore e dokumenteve biometrike, IdentiTek, ka njoftuar se për një kosto 3 mijë lekë, shqiptarët mund të marrin brenda 3 ditësh nga dita e aplikimit, kartën e identitetit.

 “Falë këtij shërbimi, përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh. Shërbimi është krijuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e aplikimit, duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë urgjente për dokumentin e tyre të identifikimit. Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri, si edhe për të gjithë ata që kanë nevojë të marrin shpejt kartën e tyre të identitetit, qoftë për arsye personale, profesionale apo administrative”, njofton Ministria.

Më 1 gusht 2023 ishte fundi i koncesionarit ALEAT, prodhuesit të dokumentave biometrike në vend, duke ia kaluar këtë proces shtetit. Identitek funksionon si një kompani shtetërore, financuar nga buxheti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë