Nga Gazeta “SI”– Karl Popper, një nga filozofët më me ndikim të shkencës në shekullin XX, ishte themeluesi i Departamentit të Filozofisë, Logjikës dhe Metodës Shkencore në LSE (London School of Economics and Political Science)
Popper lindi në Vjenë në vitin 1902, në vitet e fundit të Perandorisë Austro-Hungareze, dhe përjetoi shpërbërjen e saj pas Luftës së Parë Botërore. Atmosfera kaotike e kohës la gjurmë të pashlyeshme në të riun Popper, duke mbjellë farat e ideve që më vonë do të merrnin formë në dy nga veprat e tij më të njohura të filozofisë sociale: Varfëria e Historicismit dhe Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj. Këto dy libra i hapën atij dyert drejt LSE-së, duke i dhënë për herë të parë stabilitet akademik dhe duke e vendosur në qendër të filozofisë analitike anglo-amerikane.

Popper u rrit në një familje hebreje me status të lartë shoqëror. I ati, jurist me një bibliotekë prej mbi 10 mijë librash, dhe e ëma, pianiste e talentuar, e ushqyen me dashuri për librat, filozofinë dhe muzikën. Megjithatë, shkolla e mesme iu duk e padurueshme, përveç një mësuesi frymëzues të matematikës, Popper e përshkruante arsimin e tij si “orë të gjata torture pa shpresë”. Në moshën 16-vjeçare, ai braktisi shkollën dhe nisi vetëstudimin në Universitetin e Vjenës.
Ndërgjegjja politike dhe zhgënjimi nga komunizmi
Në këtë periudhë trazirash politike, Popper u përfshi në idealet revolucionare dhe për një kohë të shkurtër u bë komunist. Por gjithçka ndryshoi kur pa me sytë e tij vrasjen e disa të rinjve socialistë nga policia. Për Popper-in e ri, ky ishte një moment tronditës ku kuptoi se ideologjia që justifikonte dhunën politike nuk mund të mbështetej kurrë nga shkenca. Ky zhgënjim e largoi përgjithmonë nga komunizmi dhe i ushqeu neverinë e përjetshme ndaj dhunës ideologjike.
Nga mësues në mendimtar filozofik
Pas përfundimit të doktoraturës në psikologji në vitin 1928, Popper punoi si mësues matematike dhe fizike. Filozofia erdhi si rastësi falë xhaxhait të tij, ai u njoh me Herbert Feigl-un e Rrethit të Vjenës, i cili e inkurajoi të botonte idetë e tij. Kështu lindi Logjika e Kërkimit Shkencor (Logik der Forschung, 1934), vepra e tij e parë madhore, e cila u prit me entuziazëm.
Por hijet e nazizmit e bënin të pasigurt qëndrimin e tij në Austri. I vetëdijshëm për rrezikun, Popper nisi të kërkonte mundësi pune jashtë vendit. Në vitin 1937, ai pranoi një post si lektor në Zelandën e Re, duke lënë pas Evropën që po digjej nga fashizmi.
Në Zelandën e Re, përkundër ngarkesës së madhe si i vetmi pedagog i filozofisë në universitet, Popper vazhdoi kërkimet. Fillimisht, ai po përpunonte një artikull mbi kritikën e historicizmit, por shkrimi mori përmasa të tilla sa u kthye në një libër të ri. Kështu lindi Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj.

Libri, i botuar në vitin 1945 nga Routledge falë ndihmës së Friedrich Hayek-ut dhe Ernst Gombrich-ut, ishte një sulm i fuqishëm ndaj totalitarizmit. Vëllimi i parë denonconte vizionin autoritar të Platonit, ndërsa i dyti kritikon Hegelin dhe Marksin. Popper argumentonte se çdo projekt i madh për rindërtimin e shoqërisë mbi baza utopike ishte i destinuar të dështonte, sepse injoranca jonë mbi shoqërinë është shumë e madhe. Përvoja tragjike e stalinizmit dhe maoizmit do t’i jepte të drejtë.
Trashëgimia e librit
Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj u përshëndet si një mbrojtje e fuqishme e demokracisë dhe lirisë. Bertrand Russell e quajti “një vepër me rëndësi të klasit të parë”. Pavarësisht kritikave për interpretimet e tij të diskutueshme mbi Platonin, Hegelin dhe Marksin, libri e bëri Popper-in figurë qendrore të mendimit politik liberal.

Kjo ideologji frymëzoi Hayek-un që të sillte Popper-in në LSE, ku themeloi Departamentin e Filozofisë, Logjikës dhe Metodës Shkencore si dhe ndikoi thellë te studenti i tij George Soros, i cili krijoi Fondacionet Shoqëria e Hapur për mbrojtjen e shoqërive civile. Popper ndërroi jetë në 17 Shtator 1994.
Megjithatë, sfidat e sotme janë të tjera. Popper-i kishte përballë një ideologji të fuqishme, komunizmin, që kërcënonte nga jashtë. Krizat aktuale vijnë nga brenda shoqërive demokratike, të ushqyera nga populizmi dhe etja për pushtet, shpesh pa një ideologji koherente. Për këtë lloj kërcënimi, ndoshta na duhet një libër i ri, ose njw Popper i ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



