Në ditën e dytë të konferencës anti-korrupsion Mirlinda Karçanaj, drejtoresha e AKSHI-t, tha se pas 1 majit, përdorimi i shërbimeve online është rritur me 2.4 herë krahasuar me periudhën paraardhëse.
“Rrugëtimi për implementimin e revolucionit digjital nuk ka qenë aspak i lehtë dhe kjo ka qenë reforma ndoshta më thelbësore dhe e vështirë e tranzicionit shqiptar. E kemi nisur vetëm me 14 shërbime online ndërsa tani janë 1225 shërbime, 95% e të gjitha shërbimeve publike. Ndryshimi i mendësisë ka qenë pjesa më e vështirë e këtij revolucioni.
Punën më të mirë e kemi bërë me administratën e cila duhej të bindej që ky ishte shërbimi i duhur.
Kujtoj 2014-n që ishte fillimi i punës për kalimin e administratës online ku qasja e saj ishte problematike sepse e shikonin E-albania-n si diçka të AKSHI-t që nuk lidhej me shërbimet.”
Ajo shtoi se automatizimi i institucioneve ndihmon edhe punonjësit pasi e kanë shumë më të thjeshtë të ofrojnë shërbimin.
“Ata ishin gati, thjesht duhej të përsosnin mënyrën si i jepnin këto shërbime. E kemi nisur me digjitalizimin e shërbimeve dhe kemi vijuar me shërbimin me vulë elektronike. Janë 20 milionë dokumente me vulë elektronike që janë marrë këto 5 vjet.
Nëse nuk do kishin qenë shërbimet e para vetëm online, qytetarët do e kishin patur të pamundur të merrnin shërbime. Do reformohen shërbimet dhe do bëhen më të lehta për t’u përdorur. Raporti i Sigmës tregoi që shqiptarët e përdorin E-albania por edhe janë të kënaqur me shërbimet e saj”.
Hapi pasardhës do të jetë Siri i shërbimeve publike, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.