Rend dhe Ligj

Kapet në Tiranë 2 muaj pas arratisjes nga burgu i Shënkollit, Daut Laze fshihej nëpër disa xhami

Gazeta Si – Dy muaj pas arratisjes së bujshme nga burgu i Shënkollit, Daut Laze u arrestua mbrëmjen e të hënës në zonën e Astirit, në kryeqytet.

49-vjeçari është vënë në pranga nga punonjësit e policisë së Komisariatit Nr. 6 pas informacioneve të marra nga inteligjenca policore.

Sipas burimeve paraprake, Daut Laze ka deklaruar se është fshehur gjatë këtyre dy muajve tek disa të njohur të tij, në familje, tek disa besimtarë të ndryshëm që e kanë strehuar, por edhe nëpër xhami.

Ai u arrestua pranë banesës së tij në zonën e Astirit në kryeqytet pasi policia kishte marrë informacione se ditët e fundit ishte parë përreth zonës. Madje ai kishte ndryshuar dhe pamje, një metodë kjo për tju fshehur policisë. 

Daut Laze u arratis nga burgu i Shënkollit në Lezhës mbrëmjen e 3 shkurtit dhe pavarësisht kontrolleve, policia nuk ka arritur të bie ende në gjurmët e tij.

Nga veprimet e kryera rezulton se 49-vjeçari me probleme të shëndetit mendor të ketë dalë në ajrim, aty ka marrë një llamarinë të cilën e ka mbështetur te muri mbi 4 metra i lartë në anën jugore të burgut, duke e kapërcyer dhe larguar.

Për kapjen e 49-vjeçarit të arrestuar për “dhunë në familje” në vitin 2021, policia ka ushtruar kontrolle të shumta, por deri më tani pa rezultat.

Duke e konsideruar Daut Lazen si një person me rrezikshmëri shoqërore, për shkak dhe të problemeve të shëndetit mendor, policia ka vënë në dispozicion dhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo qytetar, informacion i të cilit çon në arrestimin e tij.

Daut Laze ndodhej në këtë burgun e Shënkollit në Lezhë prej nëntorit 2024, pas vendimit të gjykatës së Tiranës që kishte caktuar masën “shtrim i detyruar në një institucion mjekësorë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë