Rend dhe Ligj

Kapet në Prizren autobusi nga Shqipëria me 120 kg kanabis

Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë goditur një tentativë për trafik narkotikësh në hyrje të Kosovës. Në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në afërsi të Prizrenit, doganierët kanë ndaluar një autobus që ishte nisur nga Shqipëria dhe që lëvizte pa asnjë pasagjer.

Pas dyshimeve të para, mjeti është shoqëruar drejt objektit të Doganës në Prishtinë për një kontroll të imtësishëm, ku u gjetën 120 kg kanabis. Gjatë kontrollit, në pjesë të fshehura të autobusit, zyrtarët zbuluan rreth 120 kg kanabis, të ndarë në pako të shumta dhe të përgatitura për transport. Droga u gjet poshtë sediljeve të autobusit në një hapësirë të krijuar për fshehjen e saj.

Shoferi i autobusit është arrestuar menjëherë dhe i gjithë materiali i sekuestruar i është dorëzuar për procedime të mëtejshme penale.

Sipas shefit të Njësisë Antikontrabandë, Bekim Shala, dyshimet fillestare lindën gjatë një kontrolli rutinë në magjistralen Vërmicë–Prishtinë, në afërsi të Prizrenit.

Hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrjetin e mundshëm të transportit dhe destinacionin final të lëndës narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë